Shalsi: Berisha dhe Meta s‘po bllokojnë Ramën, por Tiranën
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, edhe dje është ndalur në një nga zonat e kryeqytetit, ku ka theksuar se janë penguar investimet për shkak të mosvotimit të buxhetit bashkiak të 2009-ës prej PD-së dhe LSI-së. "Shumë pranë rrugës së Elbasanit (rruga e xibrakëve), shikoni banorët e kësaj zone se si me mjetet dhe mundësitë e tyre, po ndërhyjnë në këtë rrugë ku ka një rrëshqitje dheu, për shkak të shirave të ditëve të fundit. Ne si bashki nuk mund ta realizojmë projektin tonë për rikonstruksionin e kësaj rruge, pikërisht sepse Berisha dhe Meta, duke buzëqeshur hedhin poshtë buxhetin e qytetit dhe të qytetarëve", u shpreh dje numri dy i bashkisë kryeqytetase. Ai ka vijuar më tej në deklaratën e tij se "të dy së bashku, Meta dhe Berisha, do ta kuptojnë se nuk janë duke bllokuar dhe penguar Edi Ramën, por të dy së bashku kanë zënë prej fyti një kryeqytet të tërë dhe nuk mbajnë peshën e përgjegjësisë përpara kryeqytetasve, të cilët as nuk e meritojnë dhe as nuk ua kanë borxh një sjellje të tillë". Afati i fundit i miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës është muaji mars. Nëse edhe gjatë kësaj periudhe ky dokument nuk do të mund të marrë votat e këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së, ata vetë do të duhet t‘u drejtohen qytetarëve për vota të një këshilli të ri bashkiak.