E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e identitetit, ndryshon afati i dorëzimit nga dy në tri javë

Do të shtyhet edhe me një javë dorëzimi i kartave të identitetit, që sipas variantit të parë qeveritar u deklarua se do të merreshin vetëm dy javë pas aplikimit. Aktualisht asnjë nga këto letërnjoftime elektronike nuk është dorëzuar, ndërkohë që vetë përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile dhe stafi që merret me dorëzimin e aplikimeve nuk mund t‘i japë një përgjigje të saktë interesimit të qytetarëve. Aktualisht afati i shpallur nga Ministria e Brendshme ka skaduar prej katër ditësh që nga nisja e këtij procesi, pra aplikimit të parë të kryer në prezencën edhe të vetë Kryeministrit Sali Berisha.

Ndërkohë që në zyrat e aplikimit për karta identiteti qarkullojnë zërat për një afat të ri të dorëzimit të këtyre dokumenteve elektronike. Sipas disa përfaqësueseve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, parashikohet që marrja e kartës të realizohet tri javë pas aplikimit dhe jo dy, ashtu sikundër ishte deklaruar më parë. Nga ana tjetër, qytetarët shprehen të pakënaqur me këtë shtyrje të afatit, por sidomos nga fakti se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga ana e autoriteteve zyrtare nëpërmjet medias, si për fillimin e procesit.

Aplikimi për kartat nisi në datën 12 janar, ndërsa bllokimi i shpërndarjes së këtyre dokumenteve nuk është sqaruar ende nga autoritetet e Ministrisë së Brendshme.

Një ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi se shpërndarja e kartave të identitetit për aplikuesit e parë është çështje ditësh dhe nuk do të ketë vonesa të gjata. Përfaqësues të kësaj drejtorie theksojnë gjithashtu se vonesat lidhen me elementët e sigurisë që integrohen në këtë dokument elektronik. Menjëherë pas shpërndarjes së kartave të identitetit, pritet të fillojë edhe procesi i aplikimit për pasaportat biometrike, të cilat do të zëvendësojnë modelin e vjetër brenda një harku kohor dyvjeçar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›