E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimet, bien dëmet e paguara me 27%

Kompanitë e sigurimit paguajnë gjithmonë e më pak dëmet që ndodhin me makinat. Kështu sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e paguara për tremujorin e parë të këtij viti janë 310 milionë lekë ose 27.44% më pak se i njëjti tremujor i vitit të kaluar. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet më shumë në portofolin "Kartoni Jeshil" ku kemi një ulje të dëmeve të paguara bruto  nga shoqëritë e sigurimit me rreth 60% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara me rreth 45%  krahasuar me 3- mujorin e parë të vitit 2007- thuhet në raportin e AMF-së.

Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 261 milionë lekë, apo 85% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Makinat e reja rrisin sigurimet

Hyrja e makinave të reja në Shqipëri ka bërë që të ndihet një rritje e konsiderueshme e sigurimit të detyrueshëm gjatë pjesës së parë të këtij viti.

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit të TPL-së së brendshme në këtë periudhë të vitit 2008 ishin rreth 674 milionë lekë. Rritja e të ardhurave me 9.11% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2007 lidhet me rritjen me rreth 12.61% të numrit të kontratave.

Në periudhën Janar - Mars 2008, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të Kartonit Jeshil arritën rreth 228 milionë lekë, ose 12.99% më shumë se në të njejtën periudhë të vitit 2007 ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 5.74% krahasuar me të njejtën periudhë.

Sigurimi kufitar shënoi ulje në grupin e sigurimeve të detyrueshme me rreth 36.71% në krahasim me Janar - Marsin 2007. Në të njëjtën kohë ulje shënoi dhe numri i kontrave të sigurimit kufitar në masën 9%. Gjatë kësaj periudhe, primet e shkruara bruto nga sigurimi kufitar arritën në rreth 36 milionë lekë.

Sigurimi Vullnetar

Në Janar - Mars 2008, vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 537 milionë lekë me një rritje prej 30.48% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe rreth 42.53%  rritje të numrit të kontratave të sigurimit.

Të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 26.70% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 277 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe rreziqet shtesë me rreth 49%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 22% dhe sigurimi i garancisë me 10%.

Në grupin "Zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë" ndihet një rritje prej 50% e numrit të kontratave të sigurimit dhe vetëm 3% rritje e volumit të primeve të shkruara bruto, që shpjegohet dhe me marjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla.

Në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, me një rritje prej rreth 104% krahasuar me 3- mujorin e parë të vitit 2007, duke shprehur dhe ritmet e zhvillimit të këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. Sigurimet inxhinierike të analizuara veçmas si portofol në sigurimet e përgjegjësive mbeten në nivele të ulta megjithë zhvillimin e tregut të ndërtimit në Shqipëri.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në 3 mujorin e parë të vitit 2008 arritën në rreth 50 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25.62% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit në udhëtim me rreth 85% të të ardhurave të këtij grupi. Rritja e madhe e të ardhurave në sigurimin e shëndetit në udhëtim lidhet më numrin në rritje të vazhdueshme të personave që udhëtojnë jashtë vendit.

Vëllimi i primeve të sigurimit të Jetës ishte rreth 102 milionë lekë me një rritje prej 49.55% krahasuar me Janar- Marsin 2007.

Peshën më të madhe prej rreth 75% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti "Jetë Debitori". Ky produkt i sigurimit është kërkesë e Bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 7%. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›