E Diel, 1 Nëntor 2026

Aleatët e Doktorit

21 prilli 2008 ishte tamam si 20 korriku 2007. Ngjasonin shumë si kalimi i ndryshimeve kushtetuese, ashtu dhe votimi i fundit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Teatri i votave luhej po në sallën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti ishte në qendër të debateve dhe kishte edhe njëfarë vote edhe për të. Pastaj ishte merkatoja e madhe dhe e paparë për të blerë votat, sepse duheshin 94 copë, më shumë se kur u zgjodh Topi president. "Spiuni" ndenji gjithë të hënën me bastexhinjtë e allishverisheve, që ishin shumë aktivë edhe në korrikun e shkuar.

Mes tyre, edhe përkrahësit e Fatos Nanos. Vetëm ata nuk ishin po aq aktivë sa në verë. "U ka rënë steka shumë dhe kësaj radhe Doktori nuk ka nevojë për nanoistët",- u shpreh i trishtuar njëri prej tyre. Trishtim, sepse po të kërkuan votën, do të kërkosh edhe ti diçka dhe atëherë u fol edhe për 250 mijë euro një votë. "Spiuni" u habit shumë se si u zhvlerësua kaq shumë vota e nanoistëve brenda 10-muajsh dhe enigmën e sqaroi njëri prej tyre:

-Kësaj radhe ka të tjerë për Durim, Bukurosh apo Hamit. Është Fatmiri, Nardi, Lufteri, ata që duan të jenë sërish deputetë në 2009.

-Po me çfarë i bindi, se ata po të duan ia prishin qeverinë?!

Nanoistët nuk u përgjigjën të hënën. Një ditë më pas përgjigjen e dha Kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli: "Kjo nuk është pyetje për mua, por kam përshtypjen se ata gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë pasur sensin e përgjegjshmërisë për të menduar për vendin, për stabilitetin, të ardhmen dhe jo për veten". (Intervista e djeshme në www.parlament.al). Pse, ka aleatë më të vetëdijshëm që kanë pasur sensin e përgjegjshmërisë për të menduar për vendin, për stabilitetin, të ardhmen dhe jo për veten, si bie fjala Fatmir Mediu?

----------------------------------------------------------------------------------------------Deformimi i Topallit

Topalli është në qiellin e shtatë! Vërtetë Kushtetuta e vitit 1998 u bë kur kryetar ishte Skënder Gjinushi, por ajo ishte Kryetarja e atij Kuvendi që e rregulloi atë. Sidomos në një pikë që Topalli e kishte shumë për zemër: t'ia ngushtonte sa më shumë lakun Presidentit të vendit, aq më tepër kur numri një është Bamir Topi. Kreu i shtetit nuk arriti të ketë dy duzina deputetësh pas vetes, siç i ka kur drekon në bregdet, me votat e të cilëve edhe mund ta kishte penguar ndryshimin e nenit që tashmë e lë zgjedhjen e Presidentit nga një shumicë e thjeshtë.

Pas fitores, Topalli është shumë e qartë, e qetë dhe gjithnjë në kundërsulm. Kur gazetarët e pyetën Kryetaren e Kuvendit për dy rryma të forta brenda Partisë Demokratike, që u distancuan për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, Topalli u përgjigj: "Asnjëherë nuk ka ekzistuar një gjë e tillë, përkundrazi, rezultati i djeshëm është përgjigja më e mirë ndaj çdo deformimi", (shih www.parlament.al).

Se sa e do Topalli Presidentin e fortë e tha në 12 prill 2008: "Presidenti është një institucion gjerësisht ceremonial, me një shtyllë të fuqishme në fushën ushtarake, meqenëse Presidenti është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo është komponentja që ka Presidenti i Republikës së Shqipërisë, pjesa tjetër është ceremonial". Dhe aq shumë e pyeti qeveria dhe ushtria që përgatiti Gërdecin, saqë edhe Moisiu edhe Topi u lanë jashtë informimit, tamam siç do Topalli... për ceremonira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›