E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet shëndetësore, 300 mijë libreza të reja në një vit

Instituti i Kujdesit Shëndetësor në analizën vjetore. Kostot më të larta për diabetin, epilepsinë, hipertensionin

Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shëndetësore të Tiranës, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, theksoi se përfshirja e pacientëve në skemën e sigurimeve shëndetësore e njëherësh përfitimet prej skemës kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2009.
“Vetëm gjatë 3 muajve të fundit, janë hapur 125 mijë libreza të reja në shkallë vendi, ndërsa në total gjatë vitit 2009 janë hapur 296 mijë libreza të reja. Kjo shifër tregon për një rritje të konsiderueshme të përfitimit të pacientëve nga skema e sigurimeve shëndetësore, pasi në një vit janë hapur 100 mijë libreza të reja më shumë krahasuar me vitin 2008”, sqaroi Hana.
Sa i takon rajonit të Tiranës, kjo rritje e numrit të librezave të reja përbën rreth 133%, gjë që tregon se skema e sigurimeve është bërë më e prekshme për një numër më të madh banorësh.Lidhja e pagesës së mjekut me performancën në punë ka bërë që gjatë vitit 2009 të rritet numri i vizitave te mjeku i familjes dhe ai specialist, duke pasur një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2008. Pagesa bonus e mjekut, e cila u jepet qendrave shëndetësore për cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve, ka pësuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2008.
Rimbursimi
Rimbursimi i barnave është përqendruar te sëmundshmëria kronike. Akutet përbëjnë 2% dhe kronikët 98% të vlerës së rimbursimit.
Për vitin 2009 janë regjistruar 11.419 raste të reja me një efekt rimbursimi 90 milionë lekë.Shtatë grupet më të mëdha të sëmundshmërisë kronike zënë 95% në totalin e sëmundjeve të rimbursimit. Nga pikëpamja e strukturës së sëmundshmërisë, diagnozat më të rimbursuara janë: sëmundjet e sistemit kardiovaskular, psikozat skizofrenike, astma bronkiale, epilepsi, insuficiencë kronike e veshkave, glaukoma.
Janë 10 sëmundjet që kanë rimbursim më të lartë dhe konsiderohen si ndër diagnozat më të shtrenjta. Katër diagnozat që kanë pësuar rritjen më të madhe të kostos mesatare të rimbursimit janë: hipertension esencial, me efekt financiar për shkak të rritjes së shpenzimeve mesatare të rimbursimit. Kjo është kushtëzuar nga ndryshimi i terapisë së mjekimit dhe kalimi i pacientëve nga një stad më i ulët në një stad më të lartë të hipertensionit esencial.
Kosto
Tumori malinj i gjirit te femrat ka një rritje të kostos mesatare të rimbursimit për diagnozë, efekti financiar i të cilit është përllogaritur me +11829 mijë lekë për rast. Kjo është e dukshme në përdorimin e barit letrozole 2.5 mg, që në vitin 2009 janë ekzekutuar 2884 receta kundrejt 2217 receta për vitin 2008, Diabetis melitus ka rritje të kostos mesatare për rast, efekti financiar është përllogaritur +11099 mijë lekë. Kjo është kushtëzuar nga ndryshimi i terapive të mjekimit, rritja e rasteve të trajtimit me insulinë mbi kufizimet e listës së barnave, me miratim të komisioneve endokrinologjike.
Epilepsia ka një rritje të kostos mesatare për rast, kjo rritje është kushtëzuar nga përdorimi i barnave të reja në listë.
Gjatë vitit 2009, numri i pacientëve ka qenë gjithmonë në rritje, në dhjetor ky numër arriti në 55142 pacientë, nga 48307 që ishte në janar të 2009-s.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›