E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet vullnetare, plotësimi i viteve të munguara për pensionet

14/03/2011   Flet kreu i Kontributeve në ISSH, Naim Balluku

Ata që kanë vite të munguara pune mund ti plotësojnë vullnetarisht për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm

Pranvera Kola

Kategoritë që për arsye të caktuara nuk janë pjesë e skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore mund të përfitojnë prej saj. Për këtë ata duhet të plotësojnë vitet e munguara të vjetërsisë së punës nëpërmjet derdhjes së sigurimeve vullnetare. Në këto kushte, të gjithë personat që kanë vite të munguara pune mund ti plotësojnë ato në mënyrë vullnetare për të përfituar pagesën e plote të pensionit, ose për të mos humbur vitet e punës kur ata nuk arrijnë kufirin e duhur të përfitimit. Kreu i Drejtorisë së Kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku, thekson se aktualisht janë të shumtë personat që kanë vite pune në Shqipëri, por që nuk janë të plota për të përfituar pension në rastin e mbushjes së moshës. Pikërisht me anë të pagesës së kontributeve të sigurimit shoqëror vullnetar të gjithë këta persona që kanë periudha të paplotësuara të vjetërsisë në punë mund ti plotësojnë ato dhe të marrin pension.

Përfitimet

Sipas Ballukut, kategoria më e interesuar në këtë rast është ajo pjesë e qytetarëve që ka më pak se 15 vjet punë për të përfituar pension të pjesshëm pleqëria apo edhe ata që kanë më pak se 35 vjet pune për të përfituar pension të plotë pleqërie. Kështu, për të përfituar një pension të plotë pleqërie një nga kushtet kryesore është mosha, që në vitin 2012 do jetë 65 vjeç dhe 35 vjet vjetërsi në punë, ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për burra dhe koha e studimeve universitare për gratë. “Aktualisht deri më 1.07.2011 burrat plotësojnë moshën e pensionit kur të kenë plotësuar 64 vjet e 6 muaj dhe gratë 59 vjet e 6 muaj. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm aktualisht kërkohen 15 vjet sigurimi. Kjo do të thotë se, kur një shtetas ka nën 15 vjet sigurim, nuk futet në kushte përfitimi nga ligji i sigurimeve shoqërore. Në këto kushte, këto vite sigurimi nuk i vlejnë, pasi nuk përfiton asnjë lloj përfitimi. Në rast se këto periudha i kompenson me sigurim vullnetar, atëherë plotësimi i periudhës prej 15 vjetësh do bënte që ky të përfitonte një pension të pjesshëm, - sqaron Balluku. Po kështu një shtetas që nuk ka mbushur vjetërsinë për pension të plotë mund të sigurohet për vitet e mbetura për ta marrë plotësisht këtë lloj përfitimi. “Pra, problemi qëndron në faktin që qytetarët të mos i djegin vitet e punës, por të kompletojnë vitet e munguara për të përfituar nga ligji një pension të plotë ose të pjesshëm.”

Procedura

Sipas Ballukut, personi i interesuar për sigurim vullnetar duhet të paraqitet në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore të vendit ku ai banon dhe duhet të marrë kontakt me inspektorin e sigurimit vullnetar. Personi i interesuar për këtë pagesë duhet të ketë me vete fotokopje të librezës së punës, ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve, në rast se e disponon, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik. Pasi bihet dakord për pagesën sipas procedurës së përshkruar dhe bëhet pagesa nga qytetari, inspektori i sigurimit vullnetar të agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë të re, në qoftë se nuk ka.

Llogaritjet për të përfituar nga kjo skemë

Aktualisht kontributi mujor për të përfituar nga kjo skemë duke filluar nga 1.07.2010 është 3 633 lekë, e cila ndryshon në çdo vit kalendarik. Edhe për sigurimin e periudhave të kaluara do të paguhen me këtë shumë, për arsye se pensionet indeksohen çdo vit. Kontributet mund të paguhen tremujore dhe, kur këto paguhen paradhënie, zbritet 1.5% nga shuma e kontributeve gjashtëmujore, ku zbritet 3% e kontributeve, dhe vjetore, ku zbritet 6% e kontributeve. Për të qenë më konkretë, një shtetas ka gjithsej 15 vjet, të ndarë në 12 vjet periudhë sigurimi dhe tre vjet të pambuluar me sigurim. Ai dëshiron ti mbulojë këta tre vjet me sigurim vullnetar. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi i interesuar do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën trevjeçare. Më konkretisht, pagesa aktuale për një muaj sigurim vullnetar është 3633 lekë x 12 muaj x 3 vjet = 130 788 lekë (për tre vjet).

Kush ka të drejtë të bëjë sigurim vullnetar?

Vazhdim vullnetar të sigurimit kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar që janë larguar nga sigurimi i detyrueshëm dhe nëpërmjet marrëveshjes për këtë fushë sigurimi bëjnë sigurim vullnetar. Mbulim vullnetar të periudhave të kaluara kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar që paguajnë kontribute vullnetare për periudhat e kaluara dhe jo për vitin korent. Kontributi që do të paguhet, do të jetë në masën e kontributit minimal në kohën e pagesës së tyre. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Sigurim vullnetar kanë të drejtë të bëjnë personat e interesuar që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Sigurim për një shumë më të madhe të ardhurash kanë të drejtë të bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute deri në nivelin maksimal për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Çfarë përfitohet nga skema e sigurimit vullnetar?

1. Personi që ka paguar kontribut për sigurim vullnetar, është përfitues :

- Pensionit bazë të pleqërisë

- Pensionit të pjesshëm të pleqërisë

- Pensionit të reduktuar të pleqërisë

- Pensionit të invaliditetit

- Pensionit të pjesshëm të invaliditetit.

2. Personi i siguruar për vitin korent dhe që ka paguar kontribute deri në nivelin maksimal, është përfitues, sipas llogaritjeve :

- Pensionit të pleqërisë mbi kufirin e pensionit bazë;

- Dyfishit të pensionit bazë të pleqërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›