E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencë,certifikohen 50 mjekë për përballimin e traumave



50 mjekë të shërbimit të urgjencave në të gjithë vendin u certifikuan dje për dhënien e shërbimit shëndetësor në përballimin e traumave të rënda. Ky kurs, i cili nisi në fillim të muajit mars, u zhvillua në kuadër të reformës spitalore si edhe asaj të urgjencave, nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me specialistë të shëndetësisë, së rajonit të Puljas (Itali). "Ne tashmë kemi strategjinë për emergjencë-urgjencën dhe po përgatitemi ta vëmë në zbatim, si dhe të gjejmë mënyrat e financimit për përmirësimin e këtij shërbimi", - tha në ceremoninë e dhënies së certifikatave drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia. Sipas tij, qëllimi i këtij kursi është përmirësimi i dhënies së shërbimit të emergjencë-urgjencës, duke synuar rritjen e nivelit të profesionistëve në ofrimin e shërbimit ndaj pacientëve.

Duke u ndalur tek puna e kryer për shërbimin e emergjencë-urgjencës, z. Spahia përmendi bashkëpunimin e MSH-së me kooperacionin italian dhe me qeverinë japoneze, për sigurimin e financimit, realizimit të strukturave dhe trajnimit të stafit mjekësor dhe infermieristik. Organizatorët e kursit vlerësuan mënyrën e zhvillimit të tij, të bazuar në trajnimin në praktikë të pjesëmarrësve në të.

Kursi u përqendrua kryesisht tek trajnimi i mjekëve, për të përballur traumat e rënda, kur paraqiten në shërbimin e urgjencës, që kanë të bëjnë me praktikat e reanimacionit, të stabilizimit të pacientit etj. Gjithashtu, si pjesë e trajnimit ishte dhe ofrimi i një shërbimi urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës, pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›