E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, ISKSH-ja miraton shpërndarjen e të ardhurave dytësore



Hana: Pjesa më e madhe, për blerjen e barnave, por do të stimulohet dhe personeli shëndetësor

Këshilli Administrativ i ISKSH-së në mbledhjen e djeshme miratoi shpërndarjen e të ardhurave që realizohen nga vetë spitalet. Në bazë të këtij udhëzimi përcaktohen raportet e përdorimit të të ardhurave nga aktiviteti i spitalit. Kështu, parashikohet përdorimi i këtyre të ardhurave në masën 40% për mallra e shërbime, 30% për investime dhe 30% për shpërblime për personelin e spitalit.

Vendimi

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm për ecurinë dhe mbarëvajtjen e spitaleve, pasi po vendosim që të ardhurat dytësore dhe të ardhurat e tjera, të mund të përdoren 100% nga vetë spitali në bazë të një ndarjeje të caktuar të zërave që është 30% për investime, 40% për mallra dhe shërbime (kryesisht medikamente) dhe 30% për shpërblime”, - u shpreh në mbledhjen e Këshillit Administrativ drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana. Ajo shtoi: “Përpos buxhetit të përcaktuar të çdo spitali, do të bëhet e mundur edhe përdorimi i këtyre të ardhurave për të cilat ne kemi menduar që pjesën kryesore ta kenë barnat dhe materialet e tjera mjekësore, pasi aty kanë qenë dhe mungesat më të mëdha. Në të njëjtën kohë mund të bëhen dhe investime të vogla si dhe stimulohet dhe personeli shëndetësor me pagesa më të larta”. Së pari, nevojat për mallra e shërbime veçanërisht për medikamente e materiale të tjera mjekimi, janë në rritje. Së dyti, për kryerjen e investimeve është përcaktuar përdorimi i një fondi 30% të të ardhurave totale, pasi edhe sipas vendimit të KM-së, investimet përballohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pra e kanë një burim financimi. Shuma e lënë për investime parashikohet të përballojë një pjesë të investimeve, veçanërisht të investimeve me vlera të vogla. Së treti, në udhëzim është parashikuar që 30% e të ardhurave të realizuara nga vetë spitali të përdoret për dhënien e shpërblimeve për punonjësit. Përdorimi për shpërblim synon rritjen e interesit, veçanërisht të punonjësve që realizojnë këto të ardhura dhe me qëllim shmangien e abuzimeve dhe administrimin sa më të mirë të tyre. Edhe në këtë pikë udhëzimi vendos kufizimin për dhënien jo më shumë se të dy pagave mujore shpërblim me qëllim që nga këto të ardhura të përfitojnë sipas kontributit të gjithë punonjësit e spitalit. Për realizimin e shpenzimeve nga të ardhurat e realizuara do të përdoren rregullat e prokurimit publik si për investimet ashtu edhe blerjen e mallrave e shërbimeve.

Të ardhurat

Të ardhurat e realizuara nga spitalet do të përdoren tërësisht prej tyre. Kjo u krijon spitaleve burime financiare shtesë, duke mundësuar plotësimin e një pjese të nevojave për mallra, shërbime e investime dhe stimulimin e punonjësve nëpërmjet dhënies së shpërblimeve. Në të ardhurat e realizuara nga spitalet, përshihen kryesisht të ardhurat nga tarifat e shërbimeve që u kryhen pacientëve të cilët nuk kanë rekomandimin e mjekut të përgjithshëm e të familjes, si të ardhurat nga vizitat, analizat dhe ekzaminimet e ndryshme, lëshimi i vërtetimeve për efekt dokumentacioni, sipas tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Shëndetësisë. Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike, si të ardhurat nga qeratë, parkingu i automjeteve në territoret e spitaleve, shumat e paguara nga ISKSH-ja për shërbimet ekzaminuese unikale terciare të ofruara nga spitalet në marrëveshje me ISKSH-në sipas listës së shërbimeve dhe tarifave përkatëse.

Shpërndarja e të ardhurave dytësore për spitalet

ISKSH 30% 40% 30%

Të ardhurat dytësore dhe të ardhurat e tjera, mund të përdoren 100% nga vetë spital Për investime Për mallra dhe shërbime (kryesisht medikamente) Për shpërblime

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›