E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po prodhohen euro false

Pas informacionit se në qarkun e Fierit po qarkullojnë prerje 500 dhe 1000-lekëshe të falsifikuara, ka dyshime se tregu po mbytet dhe me prerje 50-euroshe po false

FIER - Në qytetin e Fierit përveç lekëve falsë të prerjes 500 dhe 1 mijë-lekëshe, po qarkullojnë gjithashtu edhe euro të falsifikuara. Pikërisht një ditë pas publikimit të faktit se kartëmonedha false ishin hedhur në tregun e këtij qytetit, të prodhuara nga një makineri e posaçme e blerë në Bullgari, organet hetimore janë vënë në kërkim të prodhuesve të paligjshëm. Bëhet me dije se në ambientet e policisë së Fierit është shoqëruar një person, të cilit i janë kapur në cilësinë e provës materiale tri kartëmonedha false të prerjes 50 euro. Mësohet se ky person, pasi është marrë në pyetje, ka pranuar të tregojë për policinë personin që i ka shpërndarë këto para. Sipas bluve të Fierit, po punohet për identifikimin dhe kapjen e prodhuesit, i cili mendohet të jetë i njëjti person që ka hedhur në treg edhe lekët falsë. Lidhur me prerjen 50-euroshe false, burimi i informacionit pohon faktin se ato janë shumë pranë origjinalit. Madje këto euro nuk mund ta dallojnë as punonjësit e 14 bankave në Fier, të cilët në shumë raste kanë rënë viktima, duke i konvertuar paratë false me lekë. Edhe pse zyrtarisht drejtues të policisë së Fierit nuk e pranojnë qarkullimin e parave të falsifikuara në këtë qytet, mësohet se struktura të posaçme hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Deri tani, detajet që janë bërë publike është makineria përkatëse e blerë në Bullgari nga një person nga Fieri, bashkë me letrën e posaçme, ndërsa ky aktivitet i paligjshëm dyshohet se ushtrohet në zonat periferike të qytetit. Seksioni i Zyrës së Antikrimit Ekonomik dhe Financiar ka zhvilluar për këtë qëllim një takim kokë më kokë me drejtues të lartë të policisë së Fierit. Vetëm pak javë më parë, policia e Fierit pati rënë në gjurmë të informacionit të marrë në rrugë operative, se në rrethin e Fierit po qarkullonin prerje 1000-lekëshe të falsifikuara. Marrja e këtij informacioni vuri menjëherë në punë strukturat policore, të cilat për shkaqe hetimore gjatë këtyre ditëve të fundit kanë qenë të rezervuara në dhënien e informacioneve në lidhje me qarkullimin e parave false në këtë rreth.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›