E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria analizon 2009-ën: U shtuan grabitjet me armë në Tiranë



TIRANE - Krimi i vjedhjes është konsideruar shqetësim serioz dje gjatë analizës së punës së Prokurorisë së kryeqytetit për vitin 2009. Sipas shufrave zyrtare të prezantuara nga prokurori i Tiranës Genti Xholi, në analizën ku ndodhej edhe Prokurorja e Përgjithshme, krimi që ndodh më shpesh në Tiranë është ai i vjedhjes, ndërsa janë shtuar edhe rastet serioze të grabitjes me armë të pasurisë. Prokurori i rrethit Tiranë tha dje gjatë analizës, se gjatë vitit 2009, Prokuroria e kryeqytetit ka hetuar 7286 kallëzime penale, çka përbën rritje të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Nga këto dosje, sipas Prokurorisë për 171 prej tyre është vendosur pushimi për mungesë provash, për 525 të tjera është vendosur të mos fillohen hetimet pasi nuk ka pasur vepër penale ndërsa janë rihapur 182 dosje për të cilat më parë ishte vendosur pezullimi ose pushimi i tyre. Menjëherë pas prezantimit të shifrave Prokuroria vazhdoi analizën e saj pa praninë e medias, përfshi edhe fjalën e kryeprokurores Ina Rama. Pasi ka dëgjuar prezantimin e rezultateve të punës për vitin 2009, ajo u ka lënë vartësve porositë e rastit ndërsa më pas ka vijuar me prezantimin e drejtuesit të ri të Zyrës Task Force Antikorrupsion. Në drejtimin e kësaj njësie është emëruar prokurori Dritan Rreshka. Së fundi ai drejtonte Task Forcën Antikorrupsion në Durrës, ku ishte transferuar pas një pune të gjatë në sektorin e Antikorrupsionit të Prokurorisë së Tiranës duke qenë një nga prokurorët e parë të kësaj zyre. Prej një muaji, drejtimi i Task Forcës kishte mbetur vakant për shkak të emërimit të drejtuesit të mëparshëm Altin Dumani në Prokurorinë e Apelit. Pas ngritjes së tij në detyrë, drejtimin e Task Forcës Antokorrupsion e ka marrë prokurori Dritan Rreshka, i cili rikthehet tashmë në këtë institucion si drejtues i njësisë së përbashkët të hetimit kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›