E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagesat për Hipotekën, në bankë



Arkëtimet mbi një mijë lekë të reja në Hipotekë do të kryhen nëpërmjet sistemit bankar. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të bërë ditën e djeshme nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pohoi se prej disa ditësh, Hipotekat e rretheve kanë filluar të operojnë vetëm nëpërmjet sistemit bankar për arkëtimet e vlerave të shërbimeve të ofruara kostoja e të cilës është mbi një mijë lekë të reja. Sipas Hipotekës, kjo mënyrë e re e shërbimit të ofruar nga ZVRPP-të, mundësohet në zbatim të ligjit numër 9936, i datës 26 qershor 2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë"; Udhëzimit të Ministrisë së Financave numër një, datë 21 janar 2010, "Për zbatimin buxhetit të vitit 2010", si edhe Urdhrit të Ministrit të Financave numër 95, datë 11 nëntor 2009, "Për miratimin e faturës së arkëtimit". Kështu, në zbatim të këtij ligji, udhëzimit dhe urdhrit të ministrit, prej disa ditësh ZVRPP-të kanë filluar të pajisin paraprakisht të gjithë individët apo subjektet më "Faturë Arkëtimi" për të gjitha të ardhurat jo tatimore. E thënë ndryshe të ardhurat jo tatimore janë edhe ato që përfitohen nga shërbimet që ofron çdo ZVRPP si dhe gjobat dhe të ardhurat nga taksat lokale. Në fund të njoftimit për shtyp Hipoteka pohon se: "Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, tërheq vëmendjen se, individët apo subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen apo transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit, vetëm pasi të jenë pajisur nga ZVRPP-të me "Faturën e Arkëtimit". Ndërkohë në udhëzimin numër një të Ministrit i Financave, të datës 21 janar të këtij viti, në lidhje me procedurat e zbatimit të buxhetit, në marrëdhëniet e sistemit të thesarit me njësitë shpenzuese, në pikën 71 thuhet: "Për të ardhurat jo tatimore që krijohen gjatë vitit, njësitë shpenzuese duhet të pajisin paraprakisht individët apo subjektet me "Faturë arkëtimi" dhe një kopje të saj e dërgojnë në degët respektive të Thesarit. Individët apo subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen apo transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit. Për arkëtimet mbi një mijë lekë, institucionet buxhetore duhet të operojnë nëpërmjet sistemit bankar ose shërbimit postar. Ky shërbim i fundit ofrohet në bazë të një marrëveshje të institucioneve me postën". Praktika e deritanishme e pagesave të shërbimeve nëpër Hipotekat e rretheve kryhej në një sportel brenda institucionit, ku dhe në bazë të numrit të aplikimit bëhej pagesa sipas shërbimit të kërkuar. Kryerja e pagesave nëpërmjet bankave apo Postës Shqiptare është parë si lehtësi për qytetarët si dhe për institucionet shtetërore të cilët u ofrojnë shërbime të ndryshme qytetarëve. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›