Aksidentet sjellin një tjetër viktimë, plagosen pesë vetë
Tiranë
Tre aksidente rrugore të tjera kanë ndodhur në Tiranë, nga të cilët ka mbetur i vdekur një person dhe janë plagosur pesë persona të tjerë. Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në autostradë, ku një kamion është përplasur me një “Mercedes Benz”. Sipas të dhënave policore, rreth orës 20:00, në autostradë, pikërisht te QTU-ja, Kujtim Tusha, 43 vjeç, duke drejtuar kamionin “Iveko”, TR6264R, është përplasur me mjetin “Mercedes Benz”, me targa BV523CS, të drejtuar nga Elton Visha, 24 vjeç. Për pasojë e këtij aksidenti të rëndë, ka humbur jetën Elton Visha, që drejtonte veturën, si dhe janë plagosur rëndë drejtuesi i kamionit dhe Gjylzere Domi, 23 vjeçe, e cila ishte pasagjere në njërën prej makinave. Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, kur Astrit Lala, 35 vjeç, i cili është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë, në rrugën “Qemal Stafa”, te teleferiku, duke drejtuar autobusin “Renault” TR1996T, ka aksidentuar këmbësorin Roland Tase, 47 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në lidhje me aksidentin e tretë, policia deklaroi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Avni Halilin, 30 vjeç, banues në Vlorë. Nga të dhënat policore mësohet se në orën 14:30, në Rrugën e Durrësit, pikërisht te Dogana, duke drejtuar mjetin “Mercedes Benz”, me targa TR8492P, është përplasur me mjetin fuoristradë “Chrysler”, me targa të huaja MY65902, të drejtuar nga Afërdita Mustafa, 39 vjeçe. Për pasojë është aksidentuar e ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën Avni Halili dhe pasagjeri i mjetit fuoristradë, Ilir Toska, 37 vjeç. Aktualisht, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë po vazhdojnë kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre, dhe i fton ata të paraqiten pranë çdo dege të Postës Shqiptare. Njëherësh, shërbimi i Policisë së Tiranës fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.
#