Silvia Plath, “ditari” i një letrareje
14/12/2008 Vetë jeta e saj i ngjan një romani. Ngjarje dhe zgjedhje të një njeriu të shqetësuar, që kërkon vazhdimisht përsosjen dhe një femër e brishtë emocionalisht dhe tepër interesante në botën e vet shpirtërore. E tillë ishte Silvia Plath dhe kështu vijon të rrëfehet përmes veprës së vet, atë pjesë që ka mundur të ekzistojë deri më sot.
Llindur gjatë Depresionit të Madh më 27 tetor 1932 në Masaçusets, SHBA, nga e ëma Aurelia dhe babai Oto Emile Plath, një emigrant nga Gjermania, Silvia e kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë së saj nën ndikimin e besimit kristian. Babai i saj ishte profesor zoologjie dhe gjermanishteje në Universitetin e Bostonit. Fëmija i madh i çiftit, tre vjet pas lindjes së Silvias prindërit sollën në jetë vëllanë e saj. E ëma, Aurelia, ishte afërsisht 21 vjeçe më e vogël se burri i saj. Ajo ishte rritur në Winthrop dhe gjyshërit e Silvias nga e ëma kishin jetuar në një zonë të qytetit të quajtur ‘Point Shirley’, një zonë e përmendur në poezitë e Plath. Ajo botoi poezinë e saj të parë në Winthrop, kur ishte vetëm 8 vjeçe. Oto Plath, i ati i Silvias, vdiq më 5 nëntor 1940, një javë pas 8-vjetorit të lindjes së Plath. Shkrimtarja e ardhshme e përjetoi shumë këtë vdekje. Ende në varrezat e Winthrop, mbi gurin e varrit të të atit të saj vazhdon të lexohet poema e Plath "Babi”.
Edhe koha e rinisë së Plath ishte jo e qetë. Ajo ndoqi “Smith College”, ku u shoqërua me Dick Norton, mbi të cilin bazoi karakterin e një prej personazheve në librin e saj “The Bell Jar”. Në këtë periudhë ajo bëri përpjekjen e parë për t’u vetëvrarë duke marrë një overdozë tabletash gjumi. Edhe këtë herë detaje të përpjekjeve të saj për vetëvrasje ajo i ka dhënë në librin e vet. Pas kësaj përpjekje për vetëvrasje për një kohë të shkurtër Plath u shtrua në një spital për shqetësime mendore, ku u trajtua me terapi elektrokonvulsive. Gjatë verës në vitin e tretë të kolegjit Plath u caktua si redaktore përgjegjëse në revistën “Mademoiselle”, kohë gjatë së cilës ajo shpenzoi një muaj në Nju-Jork. Kjo përvojë nuk ishte aspak ashtu siç shpresoi ajo të ishte. Megjithatë, shumë nga ngjarjet e asaj vere i përdori më vonë si frymëzim për novelën “The Bell Jar”. E nderuar me medalje për rezultate të shkëlqyera nga kolegji “Smith” në vitin 1955, Plath arriti të fitonte të drejtën e studimit në Universitetin e Kembrixhit, ku vazhdoi në mënyrë aktive të shkruante poezi dhe të publikonte nganjëherë punën e vet. Pikërisht në këtë periudhë ajo njihet me poetin anglez Ted Hughes, i cili shumë shpejt u bë bashkëshorti i saj. Jeta e kaluar me Hughes, vitet e kaluara bashkë në SHBA, në Britani, aborti i Silvias etj., përbëjnë një pikë kyçe në shfaqjen e saj letrare. Martesa e Plath me Hughes ishte plot vështirësi, veçanërisht pas një lidhjeje jashtë martesë të të shoqit, e cila bëri që në vitin 1962 çifti të ndahej. Plath u kthye në Londër me fëmijët e saj, Frieda dhe Nicholas, dhe mori me qira një apartament, ku dikur kishte jetuar W. B. Yeats. Plath u kënaq nga ky fakt dhe e konsideroi atë si ogur të mirë. Megjithatë, nuk jetoi shumë në këtë shtëpi, pasi u vetëvra më 11 shkurt 1963. Vetëvrasja e saj për një kohë të gjatë u pasua nga shumë aludime. Si në një skenar të mirëpërcaktuar, ajo i dha fund jetës në kuzhinën e rregulluar dhe të pastër, pasi e mbylli krejt hapësirën lidhëse ndërmjet saj dhe dhomave të fëmijëve, që po flinin me rroba dhe peshqirë të lagur. Plath e vendosi më pas kokën në furrën e një sobe me gaz dhe mbylli sytë.
U sugjerua se Plath nuk kishte ndër mend të vriste me të vërtetë veten. Megjithatë, përpjekja për vetëvrasje nga ana e saj nuk ishte diçka e re. Me sa duket, ajo kishte pyetur më parë fqinjin e saj se në ç’orë do të largohej; dhe ai kishte gjetur një shënim ku lexoi: “Lajmëro dr. Horder" dhe poshtë kësaj numrin e tij të telefonit. Një hije dyshimi për vdekjen e Plath u hodh mbi bashkëshortin e saj, kur më vonë e njëjta praktikë vetëvrasjeje u ndoq më 1969 nga Assia Wevill, gruaja për të cilën Ted Hughes braktisi Plath.
Ted Hughes është gjithashtu përgjegjës edhe për atë pjesë të shkrimeve të Plath që i janë dhënë lexuesit. Botimet e saj pas vdekjes, ku mund të përmendim "Duke kaluar ujin" apo "Pemë dimri", janë të shumta. Por më i rëndësishmi është “Ditari” i Plath, i mbajtur prej saj që në moshën 11-vjeçare e deri në çastin e vetëvrasjes. Për botimin e këtij ditari, të cilit Hughes i ka zhdukur pjesën e fundit (pak para vdekjes së ish-gruas), poeti anglez filloi punën pak para se ai vetë të vdiste.