E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolika e një statuje

Nuk njihet ndonjë rast tjetër, në botën demokratike, që një udhëheqës i shquar të jetë nderuar, për së gjalli, me një statujë gjigande në qendër të një kryeqyteti. Kosova i ka tejkaluar caqet e vlerësimit për një personalitet njerëzor. Rasti i Bill Clinton -it është i veçantë. Mijëra shqiptarë e kanë shoqëruar ish Presidentin Amerikan në ceremoninë e zbulimit të statujës së tij në qendër të Prishtinës.


Më shumë se sa vlerësim për personin dhe kontributin e tij ky dedikim mbart simbolikë. Brenda saj është kontributi i presidentëve Woodrow Wilson (1913-1921), mbrojtësit të vullnetit të popujve për vetëvendosje, Franklin Roosevelt (1933-1945), kontribuesi për fitoren mbi fashizmin në LDB, George H.W.


Bush (1989-1993), personi që vulosi periudhën e përfundimit të Luftës së Ftohtë në Evropë dhe në fund, birit të tij George W. Bush që njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Të gjithë do ta meritonin nga një statujë. Brenda këtyre periudhave ka edhe të tjerë burra shteti amerikanë që janë meritorë për arritjen e ekuilibreve në Ballkan.


Madje jo vetëm burra. Edhe diplomatja e hekurt Madeleine Albright do ta meritonte një statujë. Simboli Clinton në radhë të parë është një nderim për SHBA-në, për historinë e re të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe amerikanëve.


Po a ka ndonjë gjë që nuk shkon në këtë mes e që duhet rregulluar? Ajo që nuk shkon, e që tashmë është kthyer në një rutinë të rëndomtë ka të bëjë me mënyrën se si përcillen ceremonitë e rëndësishme në Kosovë, mënyrën se si funksionojnë institucionet kryesore, Parlamenti, Presidenca dhe Qeveria. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi shikohen bashkë në këto raste, flasin secili nga një fjalim duke udhëhequr në mënyrë konsensuale, ndërkohë që Kosova është një shtet me Kushtetutë e me institucione që parashikohen të funksionojnë në mënyrë të pavarur.


Praktikisht në Kosovë nuk merret vesh shumë se çfarë i takon Parlamentit, çfarë Kryeministrit dhe çfarë Presidentit edhe pse gjërat janë të shkruara mirë.


Në Parlament shikojmë shpesh një aureolë false mes dy kundërshtarëve kryesorë politikë Sejdiu dhe Thaçi të cilët në emër të unitetit fuksionojnë në mënyrë foklorike.


Në ceremoninë e zhvilluar për të nderuar simbolin Clinton, pamë dy fjalime të tepërta në Parlament, njërin të Presidentit dhe tjetrin të Kryeministrit. Se pse duhet të përshëndesë Kryeministri në Parlament është e pakuptueshme ndërkohë që Parlamenti ka një kryetar me shumë reputacion.


Akoma më e pakuptueshme është pse duhet të futet e të përshëndesë aty Presidenti, ndërkohë që ai nuk është deputet. Parlamenti i Kosovës ngjan shpesh me një odë miqsh ku flasin vetëm i pari dhe i dyti jashtë çdo logjike të rregullave protokollare.


Rasti i ceremonisë "Clinton" ku Sejdiu e Thaçi mbajtën nga dy fjalime secili, përkatësisht nga një në Parlament dhe një në mitingun popullor tregon një protagonizëm të papranueshëm për një shtet demokratik.


Kryeministri është në të drejtën e tij për të pritur e përcjellë personalitete, për të referuar në Parlament për punën e Qeverisë e jo për gjëra që nuk i takojnë.


Ndërsa Presidenti është jashtë çdo norme kur përzihet në ceremoni të organizuara nga institucionet e tjera (ai mund ti drejtohet Parlamentit për çështje të rëndësishme kur mendon se është e nevojshme).


Kosova nuk mund të funksionojë vetëm si shteti i lodrave dhe currileve. Ajo duhet të ndërtojë institucione të qëndrueshme të cilat të dinë të udhëheqin në rend të parë qytetarët e saj dhe më pas të dinë të nderojnë edhe miqtë.


Sepse pastaj ndodh, siç edhe ndodhi, që një ditë pas nderimit të madh për Presidentin Clinton vendi përjeton ditë zie për shkak të humbjes së një numri të madh qytetarësh në përpjekje për të ikur në mënyrë klandestine drejt perëndimit (rasti i mbytjes në lumin Tisa).


Shteti i Kosovës ka disa problematika specifike ndryshe nga shtetet e tjera. Ai nuk e kontrollon të gjithë territorin e vet. Një pjesë e shteteve me influencë nuk e kanë njohur akoma. (Jemi të prirur për të thënë gjithnjë vetëm numrin e shteteve që e kanë njohur, e jo tjetrën, numrin e atyre që nuk e kanë njohur).


Kosova ndodhet sot në kulmin e fushatës për zgjedhjet vendore. Janë të parat zgjedhje që menaxhohen tërësisht nga institucionet vendore. Si të tilla ato do të jenë një provë e fortë për nivelin e demokracisë kosovare. Procesi do të demonstrojë aftësinë, ose jo, të shtetit më të ri në Evropë për të zhvilluar në mënyrë të pavarur zgjedhje të lira dhe të ndershme.


Pavarësia nuk ka ngjallur ndonjë optimizëm sa pritej në planin ekonomik. Kosova përjeton vështirësi të mëdha tranzitive, ku optimistët janë në qeveri dhe pesimistët në popull.


Qeverisja konsensuale e ka dëmtuar rolin kontrollues të opozitës mbi qeverinë. Opozita është e vogël në numër dhe si e tillë ka pak shanse të kërcënojë qeverinë konsensuale Thaçi-Sejdiu.


Në një vend të tillë mund të ngresh statuja sa të duash për të tjerët, për miqtë e mëdhenj, e mirë bën, por nëse nuk ke bërë atë që duhet për qytetarët që të votojnë do ishte e kotë.


Statuja e Bill Clinton -it në qendër të Prishtinës, mbart veç të tjerash edhe mesazhin e funksionimit të institucioneve në mënyrë demokratike, ndërtimit të një shteti multietnik në themel të të cilit është bashkëjetesa dhe zhvillimi i qëndrueshëm.


Në mënyrë që simbolika e kësaj statuje të mos mbetet demagogji kalimtare. Këtë gjë duhet ta kenë, më së pari, parasysh ata që sot janë në krye të Kosovës.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›