E Diel, 1 Nëntor 2026

Simbolika e tekstit



Yzedin HIMA

Në tekstet poetikë të Vexhi Buharasë ndeshemi me simbole të shumta në poezi të veçanta dhenë tërësinë e poezive të tij. Tërësia e simboleve, që shëtisin nga poezia në poezi, formon atë që thirret simbolika poetike e V. Buharasë. Nëse do të depërtojmë në tekstin poetik të autorit, duhet të zbërthejmë pikërisht simbolikën e këtij teksti. Studiuesi Ibrahim Rugova në librin e tij “Strategjia e kuptimit”, shkruan: “Kur themi se është tekst simbolik, kuptojmë se poeti të gjithë poezinë e tij e ndërton në sistemin e simbolikës, të kuptimit të objektivuar në shenja…”
Kjo dukuri ndeshet te poezia moderne dhe lidhet me përdorimin e një gjuhe më sintetike e më racionale, që çon në një poezi metaforike. Gjuha poetike kthehet në një sistem funksionesh semantike. Le të shohim disa simbole ose fjalë-çelës, që janë përdorura nga Buharaja.
Ato janë: rrezja, drita, dielli, qielli, shpirti, loti, shpresa, zemër, bukuri, shkretëtira, flaka, vuajtja, kënga, jeta, yje, floriri, malli, hëna, helm, dashuria, gëzimi, fshehtësira, vashëz, drithërimë, eshtra, varrezë, hije, tinguj, gaze, dëshira, etj. Krahas tyre kemi edhe metaforat: shpirt-i heshtur i liqerit, netëve të vrerit, krah’e tinguj qielli, dhëmbjeve të moçme, ngashëron një ditë e zezë, ferr i syrit, Ferr i varrit, bukuri këputur qiejësh, shpirt prej lashtërie, shpuz’ e mallit, etj.
Nëse do të analizojmë fjalët-çelësa, simbolet që përsëriten nga poezia në poezi, do të vërejmë se autori përdor fjalët rrezja, drita, dielli, qielli, yje, hëna si një përmasë kozmike. Tërë këto simbole formojnë kozmogoninë e poezisë së Buharasë. Ndërsa fjalët- çelës të tjera, eshtra, ferr, shkretëtira, fshehtësira, varrezë, helm, loti, janë tërësia e fjalëve që formojnë simbolikën e tokës, ku vlon mëkati dhe vuajtja. Kjo është përmasa tokësore e poezisë së Buharasë.
Fjalët-çelësa si dhembje, mall, shpresë, zemër, bukuri, këngë, gëzim, vashëza, drithërimë, gaz, tinguj, dëshirë përbëjnë përmasën e shpirtit. Sipas Rumiut, njeriu është universi. Ai shkruan: “Shihni njerinë/ te qenia e tij ka gjithësinë./ Po hyji në shpirt/ lehtë, me kujdes…/ Shtatë qiej takon/ krejt universin.” Edhe te poezia e Buharasë, sikurse edhe te poezia e Lasgush Poradecit, ka një lëvizje nga poshtë lart, drejt hapsirave qiellore ku ferri, fshehtësira, shkretëtira ndriçohen nga drita, dielli, hëna, yjet, rrezet.
Kozmogoni që, para se të jetë qiellore, është edhe shpirtërore dhe shoqërohet nga drithërima, malli, shpresa, bukuria, kënga, gëzimi. Ngritja në të gjitha poezitë e Buhrasë realizohet përmes vuajtjes e dhembjes: “Ti shkëlqen në mes të vuajtjes si një shpres’ në mes të lotit;/ Përmes dhembjeve të moçme ti buzëqesh si djalë i ri.” Parateksti i këtyre poezive është edhe biblik, edhe kuranor, rrjedh nga librat e shenjtë: si lartësim dhe përsosje shpirtërore përmes vuajtjes e dhembjes.
Parë në planin e intertekstit, këtë dukuri e ndeshim edhe të Lasgush Poradeci, kur përmes dhembjes lartësohet shtergu, ndërsa çoçrri përmes gëzimeve të vogla hyn e del në një ferrë. E ndeshim të poema “Andrra e jetës” e Mjedës dhe në vepra të larta të letërsisë shqipe e asaj botërore.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›