Motet e mia
Gjon NEÇAJ
Motet e mia
( HAIKU )
1.
Vesë agu
mbi luleborë.
Motet e mia.
2.
Nëntë vjet
pa njomur buzët
në këto gurra krojesh.
3.
Nëntë kroje bjeshkësh
gurrashterrur.
Malli për mua i thau.
4.
Jam kjo pranverë e brishtë
plagëmbuluar
nën shtatë lëkura.
5.
Bora përvilet
livadheve të shkretuara.
Egërsirat kërkojnë zgavrat.
6.
Rrugët
kah bjeshkët
më çojnë te larat e borës.
7.
Në sqep dallëndyshesh
fije bari.
Pranverë në sy çikash.
8.
Supet e alpeve të mia
shkundin dimrin.
Blerimi nën krahë fluturash.
9.
I freskuar me ujëbore
mbledh shpatijeve
dredhëza të kuqe.
10.
Piku i ditës.
Mbi rogën ndanë mrizit
pi tamelborë.
11.
Maja të gurta malesh
kapur për dore.
Valle e përjetshme bjeshkësh.
12.
Mëngjes prill.
Këngët e bjeshkëve
në gushë zogu.
13.
Vendlindja ime.
Ndjehem zog
ende pa lindur.
14.
Rudinat kamur
me lulegonxhe.
Stërpikur me lot vese.
22 Qershor 2009