E Diel, 1 Nëntor 2026

Arbëresha, futbollistja nga Maqedonia, që do të luajë për Shqipërinë



Shqiptare që luan për Kombëtaren e futbollit të Maqedonisë, por që do të luajë një ditë për Shqipërinë. Kjo është Arbëresha Ismaili, vajza tetovare që prej vitesh merret me futboll dhe pse karrierën e saj e ka nisur në atletikë. Gjatë një interviste, Arbëresha tregon se si e ka nisur rrugën e sportit, jetën e saj etj. Si nxënëse e shkollës fillore Arbëresha do të marrë pjesë në garat lokale të organizuara nga komuna e Tetovës, në atletikë. Në këto gara ajo do të shpallej vrapuesja më e mirë në 800 metra dhe nga ky kualifikim do të marrë pjesë në garat kombëtare ku do të shpallet fituese në vrapim 1500 metra. Nga ky moment do të fillojë karriera sportive e një vajze 15-vjeçare nga qyteti i Tetovës së Maqedonisë. Arberesha Ismaili disa vite me radhë do të shpallej garuesja më e mirë në vrapim 800 dhe 1500 metra. Do të merrte shumë medalje lokale dhe kombëtare. Në moshen 18- vjeçare ajo mori një ftesë nga tranjeri i Maqedonisë që ta përfaqsojë vendin në Kampionatin Europian për të reja deri në moshën 19-vjeçare në Stamboll të Turqisë. Nga ky kampionat Arberesha do të kthehej me medalje.
Si je ndjerë ti një shqiptare kur ke përfaqësuar Maqedoninë?
Arbëresha Ismaili: Në këto gara përfaqësoja Maqedoninë dhe normalisht ishim të veshura me petkun e kombetares maqedonase. Isha e vetmja shqiptare në këtë formacion. Në një moment kur ishim në tribuna dhe ndiqnim ushtrimet, pashë se afër nesh ishte dhe Kombëtarja e Shqipërisë ku unë realisht duhej të isha. Instiktivisht u largova nga grupi i Maqedonise dhe iu bashkangjita Kombetares shqiptare, po e përsëris se realisht i takoja kësaj kombëtareje dhe ëndrra e ime mbetet kjo edhe më tutje. Anëtarët e Kombëtares Shqiptare më priten si vajzën e tyre. Trajneri filloi të më falenderojë për vizitën që u bëra por njëkohësisht më tregonte për pasojat që mund të kisha. Unë ju thash atyre se rastësisht jam me Kombëtaren e Maqedonisë pasi unë duhet të jem në mesin tuaj. Ata u çuditën pak me vendosmërinë time dhe më dhuruan një fanellë të kombetares shqiptare, të cilën e llogaris si dhuratën më të çmuar që kam marrë ndonjëherë. Pas kësaj nuk mora ftesë të jem pjesë e Kombëtares së atletikës së Maqedonisë edhe pse unë u ktheva me medalje në vitin 2003.
Si i nisët hapat e parë në futbollin për femra?
Arberesha Ismaili: Nënshkrova kontratë me klubin futbollistik për femra, “Shqiponjat” dhe patëm disa sezone të shkëlqyera sportive ku u shpallëm kampion të pesëfisht të Maqedonisë. Unë në këtë formacion mbaja numrin 9 si qendërsulmuese. Shumë ndeshje kemi luajtur në Ligen e kampioneve Europian të futbollit për femra. Kemi luajtur me klube të fuqishme europiane. Nuk kemi pasur suksese tëmira në këto gara sepse përvoja e bënte të veten dhe keto klube kishin stdukturë të mirë organizative në krahasim me ne, sepse ato posedonin kushte shumë më të mira se ne.
Kur morët ftesën nga Kombëtarja maqedonase e futbollit për femra?
Arbëresha Ismaili: Ishte loja shumë e mirë e imja me formacionin e “Shqiponjave” që gjë bëri të merrja ftesë nga Kombëtarja e Maqedonisë. Ndeshjen e parë me kombëtaren e Maqedonisë e kam luajtur kundër Irlandës. Unë luaja si mesfushore. Ishte një ndeshje shumë e rëndë sepse irlandezet ishin fizikisht më të përgatitura se ne. Unë në minutën e 20 godita shtyllën, kur rezultati ishte ende 0:0. Nuk pata fat të shënoja. Në fund humbëm 1:2. Ky ishte sukses për ne sepse ne ishim në formim e sipër si kombëtare për femra, në krahasim me ato të cilat funksiononin me vite të tëra dhe kishin përvojë në këto gara. Pastaj erdhi ndeshja me Holandën. Ishte një ndeshje shumë e vështirë pasi kishte ndërhyrje të ashpra nga ana e holandezeve ndaj meje. Pas disa ndërhyrjeve brutale unë u detyrova të largohem nga loja për shkak të dëmtimit. E pata dëmtuar ligamentin dhe duhej ti nënshtrohesha operacionit. Pushova për një kohë të gjatë. Dua të veçoj në rast. Në ndeshjen kundër Serbisë në formacionin e Maqedonise u ftua edhe një shqiptare tjetër si mbrojtëse e djathtë. Para fillimit të ndeshjes këndohet himet kombëtare. Gjatë këndimit të himnit të Maqedonisë, shqiptaren tjetër e kisha në krahun e majtë dhe e dëgjoj se ajo e këndonte himnin shqiptar, “Reth flamurit…”. E preka me shpatull mos e dëgjonin lojtarët tjera, por asaj nuk iu bë vonë dhe e këndoi himin shqiptar deri në fund. Pergjigjja e e saj më pas ishte se, dhe pse luan për Maqedoninë dhe kur e këndon himnin shqiptar luan më mirë edhe pse shënoj për Maqedonine golat ia kushtoj Shqipërisë.
Si është jeta private e Arbëreshës, një futbollisteje femër?
Arbëresha Ismaili: Jam studente e vitit tretë për mjekësi në USHT. Për shkak të angazhimeve në mesime gati një vit nuk luaj futboll. Dua te rikthehem pasi kam disa oferta për tu aktivizuar përsëri. Por më e rëndësishme për mua do të ishte të jepja kontributin tim në futbollin e femrave në Shqipëri, pasi është një ligë e sapoformuar dhe ka nevojë për ndihmë. Kontributin tim mund ta jap edhe si trajnere. Futbolli është sport shumë atraktiv dhe do i këshilloja të gjitha femrat që kanë talent të luajne futboll pasi ky sport nuk është vetëm për meshkujt.
Çfarë muzikë degjon Arberesha?
Arbëresha Ismali: Kjo pyetje më bëhet çdoherë. Kësaj rradhe për ju do ju them se unë në shtëpi kam muzikë me bollëk pasi këngëtari Shkumbin Ismaili është vëllai im dhe kuptohet që unë jam e “detyruar” të dëgjoj muzikë edhe kur smë degjohet. Në shtëpi jam e rrethuar me instrumente muzikore dhe aparaturë të tilla dhe me këto gjëra jam mësuar
Si një femër futbolliste, çfarë keni përfituar të mirë nga ky sport?
Arbëresha Ismali: Sporti të jep mundësi të shëtisësh botën, të njihesh me kultura të ndryshme njëkohesisht është i shëndetshëm. Gjatë fazave përgatitore, vraponim nga 10 kilometra në ditë dhe kjo nuk ishte asnjë pengesë për mua dhe koleget e mia. Dua që nëpërmjet kësaj interviste ti këshilloj vajzat e reja ti kushtojnë rëndësi dhe të merren me sport. Ju falenderoj për intervistën dhe u çoj një përshendetje futbollisteve të Shqipërisë dhe Kosovës me të cilat kam pasur rastin të luaj edhe kundër tyre.
Faleminderit dhe juve.

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›