E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laboratori i Virologjisë në Tiranë, analizat gati për 5 orë

Autori i Lajmit: Redaksia
U inaugurua dje në Tiranë, laboratori i ri i cili do të shërbejë për ekzaminimet e virusit A/H1N1. Ky laborator do ti ketë gati përgjigjet e analizave për vetëm pesë orë. Në ceremoninë e inaugurimit të laboratorit ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Jemi në një moment mjaft të veçantë duke qenë se inaugurojmë një laborator të një standardi bashkëkohor i cili mund të konsiderohet si një nga më të mirët e Evropës Juglindore” u shpreh, Vasili. Laboratori ri është realizuar nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore për qeverinë Shqiptare. Kostoja e përgjithshme e laboratorit përfshirë punimet civile, blerjen e teknologjisë diagnostikuese si dhe kualifikimin e stafit arrin në rreth 750 000 dollarë. Në projekt kanë kontribuar edhe projekte të tjera përfshirë Paktin e Stabilitetit. Ndihmesë kanë dhënë edhe OBSH si dhe Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në Altanta, SHBA. Ky laborator bën të mundur kryerjen e diagnozës molekulare për identifikimin e virusit të gripit pandemik A/H1N1. Gjithashtu mund të diagnostikohen edhe viruset e gripit sezonal dhe gripit të shpendëve A/H5N1. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë përurimit të laboratorit të virologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, u shpreh se çdo ditë në këtë laborator do të analizohen 21 mostra të dyshuara me A H1N1. Deri me sot analizat për verifikimin e pranisë së virusit të rrezikshëm janë kryer në Bukuresht të Rumanisë dhe shpesh përgjigjet vinin pasi pacienti kishte kaluar gjendjen e rëndë. Ndërkohë mësohet se dje katër persona të infektuar me virusin e gripit A/H1N1 ndodhen në rrezik jete në spitalin në Veri të Mitrovicës. Gjithsej në këtë spital janë 8 persona me simptoma të gripit të derrave, ka thënë për mediat serbe drejtori i spitalit dr. Milan Jakovlevic. Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për dy pacientë të cilët gjatë fundjavës javës janë sjellë nga Graçanica në spitalin e Mitrovicës si dhe për dy persona të cilët prej disa ditësh ndodhen në spital. Gjendja e tyre paraqitet kritike për jetën.
Ky lajm është publikuar: 10/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›