E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata: Mosha e daljes në pension, 55 vjeç burrat dhe 50 gratë

Sindikatat e minatorëve dhe profesioneve të vështira i kanë dërguar Kryeministrit dhe institucioneve përkatëse propozime për uljen e moshës së daljes në pension. Grupimi Sindikalist kërkon rishikimin e premtuar të ligjit "Për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore", duke propozuar daljen në pension, 55 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë. Sipas tyre, profesioni i vështirë i minatorit nuk lejon jetëgjatësi deri në 65 vjeç, mosha aktuale me ligj e daljes në pension. "Jetëgjatësia mesatare e punonjësve me profesione të vështira si në industri minerare, të naftës dhe të gazit, metalurgji, gjeologji, industri kimike, fabrika etj., rezulton sipas studiuesve rreth 60 vjeç", thekson shkresa e datës 21 korrik, drejtuar Kryeministrit dhe institucioneve të tjera të larta. Grupi Sindikalist propozon dalje në pension edhe në moshën 58 vjeç për punonjësit e administratës në terren. Ata mendojnë se miratimi i ndryshimeve në ligj "i jep mundësi hapjes së vendeve të reja të punës për brezin e ri dhe të aftë për ta ushtruar profesionin". Nga miratimi i këtyre propozimeve mund të përfitojnë rreth 3 mijë punëtorë nga i gjithë vendi, të cilët ushtrojnë profesione të vështira, cituar më lart.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›