E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata: Po negociojmë për vjetërsinë në punë të policëve

Takimi Mblidhet asambleja e Tiranës. Zgjedh kryesinë e saj prej 13 anëtarësh

Sindikata e policisë ka rikthyer edhe njëherë në vëmendje gjithë shqetësimet e efektivëve të policisë, që nga trajtimi me vakt ushqimi, shpërblimet, vjetërsia në punë dhe shumë probleme të tjera. Ngritja e problemeve është bërë në mbledhjen e asamblesë së Qarkut Tiranë, ku janë bërë zgjedhjet për kryesinë e sindikatës së kryeqytetit. Në fjalën e tij, kreu i sindikatës, Sadetin Fishta deklaroi se përfitimet materiale e financiare të përcaktuara në akte ligjore e nënligjore, të cilat akoma edhe sot nuk realizohen nga shteti janë e do të jenë program i përpjekjeve sindikale për të ardhmen. Një prej tyre, sipas Fishtës, është trajtimi me një vakt ushqim të punonjësve të policisë, që çdo vit arrin vlerën prej 70 mijë lekësh të reja për çdo punonjës policie, një e drejtë e fituar që në janar 2008, e cila aktualisht nuk merret për mungesë fondesh, bazuar edhe në përgjigjen e dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, një tjetër shqetësim mbetet edhe vjetërsia në punë. Sot, në polici njihet vetëm vjetërsia për gradë. Por, kjo vjetërsi njihet vetëm që nga viti 2007. Me fjalë të tjera edhe punonjësit e policisë që kanë një jetë të tërë në punë, atyre u njihen vetëm tre vjet vjetërsi grade, pasi u mohohet vjetërsia në punë, ashtu siç përfiton gjithë pjesa tjetër e administratës. “Vjetërsia në punë njihet nga ligji i Policisë së Shtetit e Kodi i Punës, por e ndalon vendimi i qeverisë për të cilin do të negociohet nga ana e Kryesisë së Sindikatës për ta përfituar, ku përpjekjet do të shkojnë edhe deri në rrugë gjyqësore”, deklaroi kryesindikalisti i policisë. Ditën e djeshme, përfaqësuesit e sindikatës së Policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit patën një takim për zgjedhjet e kryesisë së Degës së Sindikatës për Qarkun e Tiranës. Me votim të lirë nga ana e gjithë përfaqësuesve të Sindikatës për Qarkun e Tiranës u zgjodh një kryesi prej 13 vetash, e cila vendosi që kryetar të jetë Bedri Hasani. Ky takim ka ardhur pas zgjedhjes së përfaqësuesve të sindikatës në njësitë e saj në të gjitha strukturat e policisë së Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›