E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i drogës, 7 të arrestuar në Itali dhe Shqipëri

Pas operacioneve në Leçe dhe Tepelenë u sekuestruan 1.115 kg marijuanë

Mbi një ton drogë është sekuestruar dhe 7 persona janë vënë në pranga nga policia italiane dhe ajo shqiptare në një operacion të përbashkët. Policia e Leçes ka vënë në pranga 3 persona, dhe sekuestruar 900 kg hashash, kurse ajo e Gjirokastrës në vijim të aksionit ka prangosur edhe 4 të tjerë dhe sekuestruar 215.5 kg. Mbrëmjen e një prillit Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare ka konstatuar lëvizjen në det të dy mjeteve të shpejta lundruese. Strukturat e Policisë së Shtetit njoftuan homologët italianë dhe grekë, pasi nuk dihej vendmbërritja e tyre. Policia italiane ka organizuar një operacionin model për kapjen e personave që transportonin sasi të konsiderueshme lënde narkotike, por nuk kanë mbetur pas edhe homologët e tyre të Gjirokastrës.

Operacioni në Leçe

Mëngjesin e 2 prillit efektivat ushtarakë të “Guardia di Finanza” të Leçes organizuan një operacion të shpejtë për të bllokuar dy tentativa të zbarkimit të drogës që vinte nga Shqipëria. Ky operacion u finalizua me arrestimin e tre trafikantëve dhe sekuestrimin e 900 kg marijuanë në Gesine, në brigjet veriore të Salentos. Mediat italiane raportojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar rezultoi edhe një tjetër herë i suksesshëm. Sipas tyre, pas marrjes së sinjalit nga policia shqiptare, se një skaf i nisur nga brigjet e Vlorës lundronte drejt Leçes, mesnatën e së enjtes. Policia lokale ndërhyri menjëherë duke kontrolluar në bregdetin e Leçes dhe zonat përreth. Në orën dy të mëngjesit të kaluar rezultatet ishin të qarta u bllokuan 2 ngarkesa, u sekuestrua 900 kg marijuanë dhe arrestuan trafikantët. Dy, prej tyre u arrestuan menjëherë pasi shkarkuan drogën, ndërsa i treti pak minuta më pas në përpjekje për të braktisur 45 pakot e drogës e për t’u larguar. Ai e kuptoi se kishte rënë në kurth. Policia italiane i identifikoi tre trafikantët si Arbresh Hazizaj, 23-vjeçar nga Vlora, Almarind Brama, vjeç 26, nga Vlora, banues në Altamura dhe Gëzim Birçaj, 36-vjeçar, nga Shqipëria dhe me banim në Nardo, i dyshuar si drejtues i grupit. Ngarkesa e mbërritur në shtetin fqinj kishte për destinacion rajonet fqinje të Pulias. Në operacion u përdorën forca të shumta policore, si dhe mjetet e rojeve bregdetare. Kostoja e marijuanës së sekuestruar kap vlerën e rreth 1 milion eurove.

Aksioni në Tepelenë

Operacioni i antidrogës ka vazhduar më pas në tokën shqiptare. Autoritetet zyrtare policore deklaruan se sasia prej 215.5 kg lëndë narkotike, e cila u sekuestrua dy ditë më parë në Memaliaj, ishte pjesë e këtij operacioni. Lënda narkotike u kap në flagrancë rreth orës 23:00 të së enjtes, në Memaliaj, në urën e Lumit Vjosë. Në pranga të policisë përfunduan Eduart Lushkaj, 20 vjeç, Eglivan Atija, 28 vjeç, Selami Hamet Lushkaj, 37 vjeç, të tre nga rrethi i Fierit, si dhe Andi Kurti, 41 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë të katër të arrestuarit ishin me precedentë penalë. Policia tha se të arrestuarit po transportonin lëndën narkotike prej 215,5 kg nga Tepelena në drejtim të Fierit e më pas në Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se lënda do të trafikohej jashtë vendit në drejtim të Italisë. Në njoftimin e saj për shtyp Policia e Shtetit informoi se vetëm muajin e fundit nga strukturat e hetimit të krimit në bashkëpunim dhe me autoritetet policore të vendeve fqinje është bërë i mundur sekuestrimi i një sasie prej rreth 4,5 tonë marijuanë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›