E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i zi i celularëve, shoqërohen 37 tregtarë

Operacioni Për 19 prej tyre, gjykata ka dhënë masë sigurie “detyrim paraqitjeje”

Tregu i celularëve ka çuar dje në polici 37 tregtarë, ndër të cilët 19 janë dërguar për ndjekje penale. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Black Market III”, strukturat e sektorit kundër krimit ekonomik financiar pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Tatimore, bënë ekzekutimet e masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 19 shtetasve, për veprat penale të “Mospagim taksash dhe tatimesh”, si dhe “Fshehje të të ardhurave”. Sipas të dhënave hetimore, këta persona, pranë Postës Shqiptare, tregtonin në mënyrë të paligjshme celularë dhe aksesorë të ndryshëm, duke shitur pa licencë për të shmangur taksat e tatimet, duke përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm. Në vazhdimësi të këtij operacioni, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me sektorin e zbatimeve të hetimit në Drejtorinë e Policisë Tatimore Tiranë shoqëruan 37 persona, ku për 18 shtetas janë duke u kryer veprimet me Policinë Tatimore. Ndërsa 19 të tjerë janë dërguar për ndjekje penale. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 420 celularë të markave të ndryshme, 1360 karikues të markave të ndryshme, 1480 këllëfë celulari dhe 138 karta të kompanive të ndryshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme për veprat penale të “Mospagim taksash dhe tatimesh”, si dhe “Fshehje të të ardhurave”. Sa më sipër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, do të vazhdojë me intensitet punën në drejtim të parandalimit dhe goditjes së këtij fenomeni dhe nuk do të lejojë në asnjë moment, tregtimin në mënyrë të kundërligjshme për t’iu shmangur detyrimit tatimor dhe tregtuar pa licencë në sheshe të ndryshme dhe pranë Postës Shqiptare. Po ashtu, strukturat e saj janë të vendosur për të vazhduar më tej operacionin “Black market III“ deri në eliminimin plotësisht të kësaj veprimtarie të paligjshme, vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave që ushtrojnë veprimtari të palicencuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›