E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e PD-së që rrezikojnë të lënë “karriget” në kabinetin e ri

Tre ministra aktualë mendohet se e kanë të sigurt postin

Kabineti i ri qeveritar pritet të sjellë ndryshimin e shumicës së ministrave aktualë. Shumë prej titullarëve aktualë të dikastereve ministrore pritet t’i thonë lamtumirë postit të ministrit. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se kryeministri Berisha është i kushtëzuar të ndryshojë rreth 70% të kabinetit qeveritar. Sipas burimeve, do të largohen jo vetëm ministrat e partive aleate, por dhe pjesa më e madhe e ministrave të PD-së. Këtë e kushtëzon jo vetëm aleanca me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila, sipas burimeve, pritet të marrë 2 ose 3 dikastere të rëndësishme, por edhe domosdoshmëria për të shpërblyer me poste disa prej figurave të PD-së, të cilët nuk morën poste gjatë katër viteve të kaluara. Burimet flasim për largimin e 9 ministrave aktualë, ndërkohë që 3 prej tyre janë në pikëpyetje dhe tre të tjerë mendohet se e kanë të sigurt qëndrimin edhe për katër vitet e ardhshme në karrigen e ministrit. Gjithsesi, burimet theksojnë se qëndrimi ose jo i disa ministrave varet dhe nga negociatat që Berisha do të realizojë me LSI-në, PDI-në dhe PR-në, të cilave do t’u ofrojë poste ministrore.
Të rrezikuarit
Burimet bëjnë të ditur se një nga ministrat demokratë që rrezikon të lërë karrigen dhe që nuk do të jetë ministër gjatë katër viteve të ardhshme është Jemin Gjana. Përveç se është një ndër figurat kryesore të PD-së, Gjana arriti të mbante për katër vite rresht postin e ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Megjithëse Ministria e Bujqësisë nuk cilësohet si një ndër dikasteret prioritare, Gjana ka arritur që në katër vite të mos citohet për ndonjë skandal si disa ministra të tjerë. Përveç Gjanës, burimet citojnë se mund të largohet edhe Viktor Gumi, i cili ka vetëm disa muaj që drejton Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Gumi më parë mbante postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe tani është zgjedhur deputet i PD-së. Ai u vendos në krye të kësaj ministrie për shkak të dorëheqjes së anëtarit të PBDNJ-së, Anastas Duro, nga posti i ministrit, për shkak se PBDNJ-ja firmosi bashkëpunimin me PS-në në zgjedhjet e 28 qershorit. Një tjetër ministër demokrat që pritet të lërë karrigen është Fatos Beja, ministri i Arsimit. Ky i fundit ka mëse një vit që e drejton këtë ministri, pas largimit të Genc Pollos, i cili u emërua zëvendëskryeministër. Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se postin e ministrit pritet ta lërë edhe Gazmend Oketa, i cili prej gati dy vjetësh ka drejtuar një prej dikastereve të rëndësishme, siç është ai i Mbrojtjes. Oketa u vendos në krye të kësaj ministrie pas tragjedisë së Gërdecit dhe akuzave për tregti armësh që përfshinë dhe emrin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediun. Oketa, citojnë burimet, është i fundit qëndrimtar nga grupi i mbështetësve të presidentit Topi. Sipas tyre, kjo është një nga arsyet që ai pritet të largohet nga qeveria. Një tjetër anëtare e kabinetit qeveritar që pritet të largohet është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Edhe kjo futet në grupin e ministrave më afatgjatë në qeveri. Bregu e mori këtë detyrë në vitin 2006, pas largimit të ministres Arenca Trashani. Në grupin e ministrave që do të lënë karriget përfshihet edhe ministri i Kulturës, Ardian Turku. Edhe Turku e mori këtë detyrë në fund të mandatit qeverisës për shkak të skandalit seksual në të cilin u përfshi ish-ministri Ylli Pango. Por postin e ministrave do ta lënë edhe ministrat e partive aleate si, Anila Godo e PR-së dhe Lufter Xhuveli i PAA-së.
Në pikëpyetje
Ndërkaq, sipas burimeve, tre prej ministrave aktualë janë ende në pikëpyetje. Qëndrimi i tyre në qeveri apo largimi sipas burimeve varet edhe nga negociatat që PD-ja do të bëjë me partitë aleate. Kështu, në pikëpyetje është ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, post ky që mendohet se mund ta marrë LSI-ja. Në pikëpyetje është dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Edhe ky dikaster, sipas burimeve, është pjesë e negociatave me LSI-në. Në pikëpyetje është dhe ministri aktual i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Burimet bëjnë të ditur se ai edhe mund të qëndrojë, por edhe mund të largohet për shkak të rikthimit në këtë dikaster të Ilir Rusmalit. Po në pikëpyetje është dhe posti i zëvendëskryeministrit dhe qëndrimi i Genc Pollos në qeveri. Edhe kjo për faktin se ky post është pjesë e negociatave me LSI-në. Burimet citojnë vetëm tre prej ministrave aktualë që pritet të mbajnë postet në kabinetin e ri qeveritar. Ata janë Lulzim Basha, ministër i Jashtëm; Sokol Olldashi, ministër i Transporteve; Ridvan Bode, ministër i Financave. Ky i fundit, sipas burimeve, nuk ka shanse të lëvizë, ndërsa dy të parët mund të marrin poste të tjera, por do të jenë pjesë e qeverisë.

Box

Ministrat që largohen
Anila Godo - ministre e Shëndetësisë
Jemin Gjana - ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Ardian Turku - ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Lufter Xhuveli - ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Fatos Beja - ministër i Arsimit dhe Shkencës
Viktor Gumi - ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Gazmend Oketa - ministër i Mbrojtjes
Majlinda Bregu - ministre e Integrimit, zëdhënëse e qeverisë

Në pikëpyetje
Genc Ruli - ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Enkelejd Alibeaj - ministër i Drejtësisë
Bujar Nishani - ministër i Brendshëm
Genc Pollo - zëvendëskryeministër

Të sigurt
Lulzim Basha - ministër i Jashtëm
Ridvan Bode - ministër i Financave
Sokol Olldashi - ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

25 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›