E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat e Arsimit: Ngarkesa e mësuesve, e padrejtë

 Konfederata e Sindikatave ka shprehur dje shqetësimin për rritjen e ngarkesës së mësuesve të arsimit të mesëm dhe atij 9-vjeçar. Kreu i sindikatës Kol Nikollaj e konsideron urdhrin e Ministrisë së Arsimit, ku udhëzohej për rritjet e normës mësimore, si të padrejtë, pasi nuk janë bërë më parë konsultime me arsimtaret. Rritja e normës është bërë, sipas Nikollajt për shkak të shkurtimit të fondeve për arsimin. Nikollaj ka shprehur shqetësim edhe për largimet pa

 kriter nga puna, duke i konsideruar ata si antiligjore, ndërkohë që theksoi se brenda dy javësh nëse nuk do të përmirësohen kushtet, atëherë arsimtaret do të futen në grevë. Rreth 1600 mësues rrezikojnë të humbasin vendin e punës, pasi janë me kontrata të përkohshme. Për sindikalistet, këta mësues po e humbasin vendin e punës vetëm për shkak të bindjeve politike të drejtuesve të shkollave. Por ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj sqaron se në shumë shkolla janë evidentuar një numër i lartë nëndrejtoresh dhe shumë mësues në shkolla me kapacitet të ulet nxënësish. Mijëra arsimtarë do të humbasin vendin e punës pasi kontrata e tyre ka qenë e përkohshme dhe këtë vit nuk është bërë rinovimi i saj. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, përcakton normën e re mësimore për mësuesit në arsimin parauniversitar. Kështu, sipas udhëzimit Normat e punës mësimore në arsimin parauniversitar dhe standarde të lidhura me to, që mban firmën e ministrit Tafaj, duke filluar nga semestri i dytë i vitit mësimor 2009-2010, normat e punës mësimore në sistemin arsimor parauniversitar, do të jenë si më poshtë. Përveç normave për mësimin, Tafaj ka përcaktuar edhe normat e veçanta për arsimtarët. Kështu, mësuesi që drejton bibliotekën dhe punon me librin në shkolla, i ulet norma mësimore 3 orë në javë. Ndërsa mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha (përgjegjës i bazës prodhuese), kanë gjysmën e orëve mësimore. Më tej, kryetarit të Sindikatës së Arsimit në një rreth, që ka numër më të madh anëtarësh, do ti ulet norma 8 deri në 10 orë në javë. Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës së rrethit me 6-8 orë mësimore në javë më pak. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, do tu ulet ngarkesa me 4 orë javore. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma si më poshtë: në shkollat deri 300 nxënës 4 orë më pak; në shkollat me 301-700 nxënës 6 orë më pak. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë.  

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›