Unionit Studentor Austriak, shkëmbim eksperiencash me universitetet shqiptare
Një grup prej rreth 30 përfaqësuesish të Unionit Studentor Kristian-Demokrat të Universitetit të Grazit në Austri kanë vizituar këto ditë Shqipërinë për të shkëmbyer eksperiencat e tyre me studentët shqiptarë dhe për t'u informuar në lidhje me Universitetin e Tiranës, arsimin e lartë dhe në përgjithësi me realitetin shqiptar.Dje, këta studentë janë pritur në mjediset e rektoratit në një seminar të organizuar nga Universiteti i Tiranës, me pjesëmarrjen e drejtorit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo, deputetin e Partisë Demokratike, Sybi Hida,
kryetaren e njësisë bashkiake numër 1 të Tiranës, Lindita Nikolla dhe lektoren e Fakultetit të Shkencave Sociale, Merita Pone. Pasi përshëndeti studentët dhe u uroi mirëseardhjen, drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Ervin Demo u pasqyroi studentëve të pranishme sistemin arsimor në Shqipëri dhe Universitetin e Tiranës. Ai i ftoi studentët që të zhvillojnë një ose dy semestra në universitet, duke përdorur instrumentet e Erasmus Mundus. Ju ftoj të zhvilloni disa muaj mësim në Shqipëri duke përdorur programin Erasmus Mundus në konsorciumin e përbashkët që është edhe Universiteti i Tiranës edhe Universiteti i Grazit, për mobilitetin e studentëve, deklaroi Demo. Më pas, deputeti Sybi Hida dhe kryetarja e njësisë bashkiake Lindita Nikolla u paraqitën shkurtimisht studentëve problemet dhe prioritetet që ka Shqipëria sot, situatën ekonomike, politike dhe sociale gjatë së cilës ndodhet sot Shqipëria, si edhe politikat e ndjekura për integrimin e Shqipërisë në BE. Në fund të takimit, studentët dhe kryesuesit e seminarit mbajtën një seancë me pyetje përgjigje kryesisht mbi problemet politike, ekonomike, dhe të minoriteteve që ka Shqipëria.