E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i objekteve shtetërore, përcaktohet afati për blerjen e truallit



Laureta Rryçi

Qeveria vendos afat për të gjithë ata që kanë privatizuar objektet shtetërore. Vendimi më i fundit i Këshillit të Ministrave u ka vënë kufij, përfituesve të godinave shtetërore të cilët pavarësish privatizimit të godinës ende nuk kanë shlyer të gjitha detyrimet me shtetin. Sipas këtij vendimi, të gjitha subjektet të cilët kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por, që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas genplanit që i bashkëlidhet dokumentacionit të privatizimit duhet ta blejnë këtë truall deri më 30 qershor 2010. Në të njëjtën kohë këto subjekte duhet të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. Qeveria nxori në shitje, vetëm pak muaj më parë, të gjitha trojet që shteti kishte në pronësi në zonat ku ushtrohet aktivitet ekonomik dhe industrial. Bashkë me këtë vendim u përcaktuan dhe çmimet që duhet të paguanin subjektet që shprehnin interes për privatizimin e këtyre objekteve shtetërore.
Rregulli
Brenda një viti, subjektet që kanë privatizuar objektet shtetërore duhet shlyejnë detyrimet në varësi të çmimeve që janë përcaktuar në disa vendime më parë të Këshillit të Ministrave. Sipas vendimit, ata që kanë privatizuar ndërmarrjet shtetërore, të cilat operojnë në territore të miratuara si zona ekonomike dhe industriale, do ta blejnë truallin ku është vendosur ajo, sipas vlerës së hartës së tokës miratuar në nëntor të vitit të shkuar (2008). Qeveria e ka ndryshuar skemën për privatizimin e këtyre trojeve, ku në bazë të vendimit të ri të gjithë ata që duan të marrin në pronësi truallin duhet të paguajnë 50 për qind të vlerës së tij në lekë dhe pjesën tjetër në bono privatizimi. I njëjti çmim do të aplikohet si për sipërfaqen që ndodhet nën objektin e privatizuar, ashtu dhe për atë që është në funksion të objektit, pavarësisht raportit midis tyre. Nga ky vendim do të preken të gjithë ata që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore në territore, të cilat me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë janë cilësuar si zona industriale.
Procedura
Trualli që privatizohet konsiderohet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale rreth tij, e përcaktuar sipas genplanit të objektit që është pjesë e dokumentacionit të privatizimit që përgatit komisioni i vlerësimit të ndërmarrjes. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit në bazë të kërkesës së tyre për çdo pronar bëhet në bashkëpronësi të pandashme mes pronarëve të objektit. Bashkëpronarët u nënshtrohen dispozitave të Kodit Civil. Për shembull: “Objekti me 3 kate është ndërtuar mbi një sipërfaqe 500 metër katrorë (sipërfaqe ndërtimi + mjedisin e përbashkët + sipërfaqen e bordurës + sipërfaqen e truallit në oborr, nëse ka). Sipërfaqja e ndërtimit për ambientet e përbashkëta është 1250 metër katrorë dhe për çdo kat është: kati i parë 450 metër katrorë dhe kati i dytë 450 metra katrorë ndërsa kati i tretë 350 metra katrorë”. Llogarisim koeficientin (k), që në këtë rast del 0.4. Koeficienti është konstant, duke u shumëzuar me sipërfaqet përkatëse të ndërtimit që zë secili pronar jep sipërfaqen përkatëse që i takon të privatizojë secili pronar. Në një kat mund të jenë një ose më shumë pronarë. Në rastin tonë në shembull kemi vetëm nga një pronar në çdo kat. Këto sipërfaqe, të cilat përcaktohen nga ekspertët vlerësues, duke u shumëzuar me çmimin për metër katror të llogaritur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Truallit ish-Pronarëve, japin vleftën që duhet të paguajë në lekë secili pronar.

Çmimet e përcaktuara për Tiranën

Në bazë të hartës së tokës miratuar nga Këshilli i Ministrave disa muaj më parë, rezulton se më shumë se çdo tjetër kanë për të paguar ata që kanë privatizuar ndërmarrje në qarqet, Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Ndërsa, më pak do të paguajnë ata që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore në zona që tashmë janë miratuar për aktivitet industrial në qarqet e Gjirokastrës, Beratit dhe Kukësit. Ata të cilët kanë blerë ndërmarrje në zonat e Unazës së Re, fabrikës së Miellit, zonës në afërsi të rrugës "Don Bosko", ish-uzinës "Dinamo", ish-Kombinatit të Autotraktorëve, dhe Fabrikës së Bukës, në Tiranë, do t'iu duhet të paguajnë një çmim nga 25 deri në 28 mijë lekëve për metër katror. Ndërsa 20 mijë lekë për metër katror është çmimi për truallin e ndërmarrjeve shtetërore në zonat e Laprakës, doganave, Spitalit Ushtarak, Bregut të Lumit, Fushë Mëzezit, po në Tiranë. Zona më e shtrenjtë në kryeqytet, sipas hartës së vlerës së tokës, rezulton të jetë ajo e ish-bllokut dhe rreth stadiumit Qemal Stafa ku një metër katror kushton 180 mijë lekë, ndërsa më e lira cilësohet ajo përreth Spitalit Ushtarak, dhe Bregut të Lumit me 20 mijë lekë për m².

8 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›