E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sipas Serbisë, s’ka miqësore

Federata e Futbollit e Serbisë po vazhdon ta kundërshtojë vendimin e FIFA-s, që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Udhëheqësit e saj pohojnë se intervenimi i tyre ka bërë që ai vendim të ngrihet dhe se Kosova nuk do të mund të luajë miqësore as pas muajit shtatorit, siç ka thënë Fadil Vokrri.

Sikurse herëve të kaluara, edhe kësaj radhe, Federata e Futbollit e Serbisë (FFS) vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm vendimin e FIFA-s, e cila lejoi përfaqësuesen e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Edhe pse njeriu i parë i futbollit botëror, Sepp Blatter, të mërkurën e ka siguruar kryetarin e Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri, se ai vendim është i pakthyeshëm, por që vendimi do të fuqizohet në shtator - kur Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do t’i vendosë modalitetet rreth organizimit të atyre ndeshjeve – Federata e Serbisë vazhdon të deklarohet se nuk ekziston asnjë mundësi që Kosova të zhvillojë asi lloj ndeshjesh.

Madje, udhëheqësit e futbollit serb e kanë quajtur joserioz kreun e FFK-së, Fadil Vokrri, i cili pas kthimit në Prishtinë prej një takimi me Blatterin deklaroi se FIFA e ka siguruar atë që përfaqësuesja e Kosovës prej muajit shtator do të mund të zhvillojë ndeshje miqësore.

“Nuk dua t’i komentoj deklaratat e kryetarit të FFK-së, sepse shpesh ka ndodh që deklaratat e tij mos të jenë aspak serioze”, ka thënë për mediat serbe sekretari i FFS-së, Zoran Lakovic.

Sipas tij, falë intervenimit të FFS-së, vendimi paraprak i FIFA-s për Kosovën është ngrirë, derisa nuk beson se ai vendim do të ‘shkrihet’ në shtator, siç ka deklaruar Fadil Vokrri.

“Ne jemi në rrjedha me të gjitha ngjarje dhe në kontakte të vazhdueshme më përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s. Kemi biseduar me Michael Platinin dhe me Sepp Bletterin dhe vendimi që Kosova të luajë miqësore është i ngrirë në afat të pacaktuar, kurse bisedimet do të vazhdojnë në fund të shtatorit”, ka pohuar Lakovic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›