E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, Assad: Terroristët bllokojnë zgjidhjen e krizës

SIRI - Presidenti i Sirisë, Bashar Al Assad deklaron se është i gatshëm t’i japë fund dhunës, por sipas tij, janë terroristët ata që bllokojnë zgjidhjen.
Kështu i ka thënë Assad të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, i cili ndodhet sot në Damask në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, qe do t’i jepte fund dhunës.

Agjencia e lajmeve SANA citon Assad të ketë thënë se dialogu politik nuk mund të jetë i suksesshëm, përderisa “ka grupe të armatosura terroriste që shkaktojnë kaos dhe destabilitet”.

Ndërkohë në Kajro ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka takuar homologët e Ligës Arabe, për të diskutuar mbi krizën në Siri.
Lavrov u ka thënë diplomatëve arabë se Moska “nuk mbron asnjë regjim”, duke tentuar të mbrojë qëndrimin e Rusisë për bllokimin e rezolutave që dënojnë dhunën në Siri.

Por nga ana tjetër dhuna vazhdon, ndërsa shifrat e OKB-së flasin për më shumë se 7.500 të vrarë që nga shpërthimi i protestave antiqeveritare, në mars të vitit të kaluar.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›