Siri: Vriten 34 civilë, përfshirë 10 fëmijë

Grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Vëzhgimi Sirian, me seli në Londër, njoftoi të premten se gjatë përleshjeve në mbarë vendin, forcat siriane të sigurimit kanë vrarë të enjten 34 civilë, përfshirë këtu 10 fëmijë.
Sipas pohimeve të grupit, më së tepërmi të vrarë ka pasur në qytetin Homs.
Nga ana tjetër, grupi raporton se gjatë këtyre përleshjeve janë vrarë edhe të paktën shtatë dezertorë ushtarakë dhe tetë ushtarë të pushtetit në Damask.
Këto vrasje nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur, për shkak të kufizimeve që autoritetet siriane kanë vendosur për gazetarët që raportojnë për kryengritjen në këtë vend.
Televizioni BBC ndërkaq njoftoi të premten se KS i OKB’së pritet të diskutojë planin Ligës Arabe për Sirinë, përderisa luftimet duket se kanë përfshirë vendin.
OKB vlerëson se që nga muaji mars i vitit të kaluar, kur edhe filloi kryengritja në Siri, forcat e pushtetit kanë vrarë më shumë se 5,000 demonstrues pro demokracisë.