Siri, forcat e sigurisë së presidentin vrasin 16 persona

Të tjera luftime janë regjistruar në Siri gjatë orëve të fundit. Të paktën 16 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë dhe besnikët e presidentit Bashar al-Asad në Homs të Sirisë.
Kjo shifër e çon në 33 numrin e viktimave në këtë qytet që nga fundjava. Trupat dhe tanket qeveritare kanë hyrë në Homs dy muaj më parë dhe kanë pushtuar sheshin kryesor pas protestave masive për liri politike.
Aktivistët e opozitës siriane raportojnë gjithashtu se më shumë se 40 persona janë plagosur në lagjen Khalidiye gjatë kohës që po zhvillohej një ceremoni funerale në xhaminë Khaled Ben al Walid. Forca të milicisë së regjimit, kanë zbritur nga dy ambulanca dhe kanë nisur të qëllojnë mbi turmën.
Një ditë më parë u raportua se ushtria siriane dhe forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad, kanë vrarë gjatë ditës së hënë të paktën 10 persona si pasojë e një sulmi në një zonë të banuar në qytetin Homs, në qendër të vendit. Veprimtarët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, thonë se nga ana e qeverisë po provohet që të provokohet një luftë civile. Në Sabadani në kufi me Libanin janë stacionuar rreth 2000 ushtarë dhe forca të tjera të sigurisë me tanke.