Takimi i Eurozonës, Merkel: Mos prisni asgjë serioze

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka minimizuar shanset që samiti i vendeve të Eurozonës që do të mbahet të enjten, të zgjidhë krizën e Greqisë.
Gjatë një konference për shtyp, Merkel tha se në samit nuk do të ketë asgjë më "spektakolare" sesa ristrukturimi i borxhit grek. Sipas mediave greke, takimi synon arritjen e një marrëveshjeje për një ndihmë të dytë për Greqinë, me shpresën e qetësimit të tregjeve financiare dhe ndalimin e përhapjes së krizës së saj.
Ndërkohë, në fundjavë Merkel deklaroi se ajo mund të mos marrë pjesë në takim, nëse në të nuk do të ketë gjasa për arritjen e një marrëveshjeje.
Nga ana tjetër Gjermania është përplasur me Bankën Qendrore Evropiane, për shkak të insistimit të saj për përfshirjen e investitorëve privatë në zgjidhjen e krizës greke.