E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, të shtëna në një ceremoni funebre

SIRI- Forcat siriane të sigurisë kanë hapur zjarr ndaj personave të mbledhur në një ceremoni funebre në kryeqytetin Damask. Dëshmitarët dhe aktivistët thonë se mijëra vetë morën pjesë në funeral. Numri i saktë i viktimave nuk dihet ende ndërsa raportohet edhe për të plagosur.

Ndërkaq, protestuesit anti-qeveritarë intensifikuan protestat kundër regjimit. Tubimet më të mëdha u zhvilluan në Damask dhe në qytetin Alepo. Protestat u zhvilluan ndërkohë që zv/ministri i Kinës Zhai Jun u bëri thirrje të gjitha palëve në Siri t’i japin fund dhunës dhe shprehu mbështetjen për referendumin mbarë sirian për kushtetutën e re javën e ardhshme.

Por udhëheqësit e opozitës siriane kanë refuzuar të bisedojnë me qeverinë, duke këmbëngulur që Presidenti Asad të japë dorëheqjen. Një plan i Lidhjes Arabe i bën thirrje zotit Asad t’i dorëzojë pushtetin nënpresidentit, të krijohet një qeveri uniteti dhe të mbahen zgjedhjet presidenciale. Qeveria siriane e ka hedhur poshtë planin.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›