Siria hap konsullatë në Tiranë
Republika arabe e Sirisë ka vendosur të ngrejë nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Pas paraqitjes së letrave kredenciale tek Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadorja siriane në Athinë mori dje njohjen edhe si një ambasadore jorezidente e kësaj republike për Shqipërinë.
Në një pritje të dhënë në hotel “Sheraton” në kryeqytet, ku i pranishëm ishte dhe ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, ambasadorja siriane njoftoi se ka nisur nga puna konsullata e Sirisë në Tiranë dhe se konsull nderi është emëruar biznesmeni i njohur siriano-shqiptar, Jahja Faravati. Mes Shqipërisë dhe Sirisë ka një histori prej më shumë se 60-vjeçare marrëdhëniesh dhe po ashtu një sërë marrëveshjesh dypalëshe e shumëpalëshe në fusha të ndryshme të jetës. Ndërkohë që në vitet e fundit ka ardhur në rritje jo vetëm interesi i shtetit sirian, por edhe i biznesit të këtij vendi për Shqipërinë.