E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: PS, bojkot Kuvendit? S’ka asnjë arsye



Kreu i shtetit, Bamir Topi, shpreh një parim, asnjëherë bojkot ndaj Parlamentit. Në këtë mënyrë iu kundërvu sërish dje qëndrimit bojkotues të PS-së, duke i bërë thirrje që të kthehet në Kuvend. “Unë asnjëherë nuk kam qenë për bojkot, asnjëherë në jetën time", - theksoi Presidenti Topi.

Një kundërshtues i fortë i bojkotit të Parlamentit, duke e cilësuar një qëndrim absurd të PS-së, ndaj të cilës Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk gjen arsye për të mos u kthyer në legjislativ. Kreu i shtetit ripërsëriti dje se bojkoti i Kuvendit është vendimi më i gabuar i socialistëve, ndaj u bëri atyre thirrje që të zënë vendet në Parlament. Z. Topi, pas pjesëmarrjes në ceremoninë e djeshme të diplomimit të studentëve të Shkollës Politike, u pyet nga gazetarët lidhur me vendimin e opozitës për të mos hyrë në Kuvend. "Unë kam pasur një parim: edhe vetë kur isha në politikë, nuk e komentoja vendimmarrjen e opozitës apo të mazhorancës kur ne ishim në opozitë, aq më shumë sot që jam President. Mesazhin tim e keni pikërisht në momentin e inaugurimit të Parlamentit të ri. Aty është një koncentrat i gjithçkaje që unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj. Por, unë asnjëherë nuk kam qenë për bojkot, asnjëherë në jetën time", - tha Presidenti Topi. Kuvendi i ri i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit u konstituua më 7 shtator, pa praninë e deputetëve të Partisë Socialiste të opozitës. Këta të fundit kanë vendosur të mos hyjnë në Parlament, sipas një vendimi të marrë nga grupi socialist, deri në hetimin e plotë dhe transparent të procesit zgjedhor. Por krahas ndërkombëtarëve, është radhitur edhe Presidenti i vendit, Bamir Topi, me thirrjet për PS-në e Edi Ramës, që t’i japë fund bojkotit dhe të zërë vendet e saj në Parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›