Sistem adresash. Poni projekti unik ne 2012-en

Në 2012 Shqipëria do të ketë sistem unik adresash. Procesi i informatizimit të sistemit të adresave, vjen pas përfundimit të atij të rregjistrit të gjendjes civile dhe do të ofrojë informacione të sakta për vendndodhjen, emërtimin, numrin dhe personat që banojnë në to.
Zv ministri i brendshem, Ferdinant Poni, në një intervistë për “AS”,sqaron se procesi ka ecur mire në bashkite më të mëdha të vendit, të cilave pritet t'i bashkohet edhe ajo e kryeqytetit, e cila deri disa muaj më parë e kish “braktisur” punën e grupeve në terren.Ferdinant Poni thotë se në lidhje me informacionin e hedhur në database, puna është në përfundim e sipër, ndërsa në mbarë Shqipërinë ka filluar vendosja e tabelave në terren, e pas një viti tabelat do të vendosn në banesa dhe apartamente.
Ne 15 bashkitë më të mëdha të vendit,puna është në fazën e numërtimit të banesave dhe parashikohet që me këto ritme procesi të përmbyllet për 12 muaj. Zv ministri i brendshëm thotë se informacioni do të jetë i rifreskueshëm në internet dhe në funksion të bashkive.
Sistemi unik i adresave do të mund të përditësohet nga nëpunësit e njësive të pushtetit lokal, me mbikqyrjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme. Pas përfundimit të tij, çdo banesë e re e ndërtuar në çdo cep të vendit, do të jetë e evidentuar në hartë dhe do të ketë numrin e saj.
Denada Shkodrani