E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistem i suksesshëm

Kampionati i Kosovës që posa përfundoi, nga njohësit e futbollit kosovar cilësohet si më i suksesshmi në të gjitha aspektet, në krahasim me kampionatet e viteve të kaluara të periudhës së pasluftës.

Trajnerët e klubeve të elitës thonë se sivjet cilësia e futbollit në Superligë është rritur, ashtu sikurse edhe shikueshmëria. Ata thonë se edhe kalkulimet ndërmjet skuadrave janë minimizuar dukshëm për dallim prej viteve të mëparshme.

Sipas tyre, futbolli kosovar është përmirësuar dukshëm në të gjitha aspektet, falë garave kampionale që sivjet në Superligë u zhvilluan në tri etapa me gjithsej 33 ndeshje, sipas sistemit të Bergerit.

“Ky sistem doli të jetë i suksesshëm për shumë arsye. Ajo që është më e rëndësishmja, sivjet kalkulimet janë minimizuar dukshëm falë këtij sistemi të garave, sepse dihet që gjatë gjithë kampionatit diferenca në pikë mes klubeve ka qenë shumë e vogël”, deklaroi për Express Gani Sejdiu, nën udhëheqjen e të cilit Trepça u shpall kampion.

“Në vitet e kaluara kemi luajtur me sisteme tjera, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë më i mirë sesa ky i sivjetmi. Ky sistem ka bërë që cilësia në futbollin tonë të rritet dukshëm dhe kampionati ishte shumë interesant deri në xhiron e fundit, sikur për ekipet që luftonin për titull, ashtu edhe për ato që kërkonin mbijetesën”, shtoi ai.

Ndërsa, edhe trajneri i KEK-ut, Bylbyl Sokoli, tha se sivjet ka pasur ngritje të cilësisë në Superligë në disa aspekte, si ekonomike, etj. Ai tha se sistemi i ri i garave ka ndikuar në ngritjen e cilësisë në aspektin teknik, taktik e fizik.

Në anën tjetër, trajneri i Besës, Genc Hoxha, thotë se sivjet ka pasur një ngritje të cilësisë në Superligë, por jo ndonjë ngritje edhe aq të madhe.

“Sivjet ka pasur më pak ekipe në Superligë dhe kualiteti mes skuadrave ka qenë afërsisht i njëjtë. Klubet kanë nis të vetëdijesohen, sepse sivjet ke mundur më lehtë të fitosh edhe si mysafir. Prandaj, ka pas pak ngritje të cilësisë, por jo shumë. Lojtarët më të mirë të ekipeve tona po kërkojnë klube të huaja nëpër vendet e rajonit e më gjerë dhe kur ata po largohen, futbolli ynë po varfërohet”, tha Hoxha.

Mt: Revolucion në rregullim të infrastrukturës

Gani Sejdiu e Bylbyl Sokoli janë anëtarë edhe të Këshillit Profesional në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), bashkë me Ajet Shoshollin. Ky këshill para se të fillonte kampionati i pat propozuar Komitetit Ekzekutiv të FFK-së që garat të zhvillohen në sistem të Bergerit, propozim ky që qe aprovuar. Sejdiu e Sokoli thanë për Express se ky këshill do ta analizojë kampionatin e sivjetmë dhe ku shihet se ka nevojë për përmirësime, ato do t’i propozohen për aprovim Komitetit Ekzekutiv.

Por, Bylbyl Sokoli thotë se tani duhet të punohet vetëm për rregullim të infrastrukturës.
“Unë do të propozoj që klubet të obligohen, që në stadiumet e tyre t’i vënë nga 2 mijë ulëse dhe t’i rregullojnë stadiumet ndihmëse. Kurse, pas një viti tjetër, ato duhet të obligohen për vënien edhe të nga 2 mijë ulëseve tjera”, tha Sokoli.

“Tani duhet të punohet në ngritjen e cilësisë në aspektin e organizimeve të klubeve dhe rregullimit të infrastrukturës”, shtoi ai.

Sokoli tha se Këshilli Profesional do të propozojë që në vitin e ardhshëm skuadra e nëntë dhe e dhjetë të luajnë në barazh, pasi, sipas tij, kjo do të ndikonte edhe më tej në ngritjen e cilësisë dhe minimizimin e më tejmë të kalkulimeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›