E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi parauniversitar Mësuesit me kontratë, shkurtohen 1300, mbahen 700

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Urdhri i ri i Ministrisë së Arsimit për normën e re mësimore në arsimin parauniversitar hyri në fuqi ditën e djeshme. Sipas udhëzimit shtohen orët e punës në institucionet arsimore duke nisur që nga edukatorët e kopshtit e deri të mësuesit e gjimnazit. Madje sipas urdhërit të ri një edukatori i duhet të kryejë më shumë orë pune se sa një mësues gjimnazi. Kështu sipas udhëzimit, për edukatorët e kopshteve shtohen orët e punës në javë deri në 36 të tilla, për mësuesit e ciklit fillor, norma mësimore shkon në 23 orë në javë, ndërsa për arsimtarët e gjimnazeve, orët e punës në javë shkojnë në 22. Por shpërndarja e ngarkesës mësimore ka bërë që të humbasin vendet e punës rreth 1300 mësues të cilët punonin me kontrata të përkohshme. Urdhri i ri parashikon një rritje të orëve për mësuesit, të cilët tashmë krahas orëve të tyre të përcaktuara sipas programit do të duhet të japin mësim dhe orët të cilat mbeten si pasojë e largimit të arsimtarëve me kontratë të përkohshme. Vetëm disa javë më parë Këshilli i Ministrave nxori një vendim në bazë të të cilit rinovoheshin kontratat e përkohshme vetëm për 704 punonjës ndërkohë që rreth 1300 mësues të sistemit parauniversitar, që punojnë me kontrata të përkohshme do të duhet që të lënë radhët e arsimit, në muajin shkurt, pasi kontratat e tyre nuk do të rinovohen. Nga 2011 mësues me kontrata të përkohshme deri në janar, vetëm 704 të tillë do të kenë mundësi që të mbyllin vitin shkollor në krye të detyrës. Këtyre të fundit u zgjatet kjo kontratë deri në fund të muajit qershor të këtij viti. Për plotësimin e normës mësimore, arsimtarët ngarkohen dhe me orë jashtë profilit. Ngarkesa e re mësimore është përcaktuar në varësi të numrit të nxënësve që do të ketë secila klasë. Kështu në arsimin parashkollor, numri i fëmijëve në një grup duhet të shkojë në jo më pak se 25, ndërsa në klasat e arsimit bazë dhe të mesëm, numri i nxënësve duhet të jetë jo më pak se 32. Po sipas udhëzimit të ri thuhet se mësuesit që drejtojnë bibliotekën nëpër shkolla, i ulet norma mësimore 3 orë në javë. Mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha (përgjegjës i bazës prodhuese), kanë gjysmën e orëve mësimore. Kryetarit të sindikatës së arsimit në një rreth, që ka numër më të madh anëtarësh, ti ulet norma 8 deri në 10 orë në javë. Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës së rrethit me 6-8 orë mësimore në javë, më pak. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, u ulet ngarkesa me 4 orë javore. Mësuesit të shkollës 9-vjeçare, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma sipas numrit të nxënësve. Në shkollat deri në 300 nxënës, ata mësuesit përfitojnë 4 orë më pak, ndërsa në shkollat me 30-700 nxënës, 6 orë më pak. Mësuesi i shkolles 9-vjeçare me mbi 700 nxënës, që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë. Në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare, të llogaritet për çdo klasë, një mësues.

Pagesa për orët shtesë

Në ciklin e ulët, për efekt pagese, orët suplementare, në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës, dhe mbi ngarkesën javore 26 orë, kur klasa kolektive ka nën 10 nxënës. Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive, llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë (sipas normës mësimore javore të përcaktuar). Drejtorit të shkollës që zhvillon mësim në ciklin e lartë me klasat kolektive, orët suplementare, i llogariten mbi ngarkesën javore 14 orë, dhe jo më shumë se tri orë suplementare në javë. Për plotësimin e normës mësimore, mësuesi i shkollës 9-vjeçare ngarkohet edhe me orë mësimore jashtë profilit, pa cënuar cilësinë e procesit mësimor dhe kompetencën profesionale.

Propozimi i universiteteve,
“Pesha e mesatares në Maturë të jetë 40 %”

Ndryshimet e diskutuara deri më tani për Maturën Shtetërore nuk kanë përfshirë peshën që zë mesatarja në pranimet për në universitet. Të paktën për këtë vit pesha e saj nuk do të lëvizë nga 20 %. Por nga vetë ministri i arsimit Myqerem Tafaj por edhe nga drejtues të universiteteve vitin që vjen ndryshimi thelbësor mendohet të jetë pikërisht mesatarja, e cila mund të zërë 40 % të peshës totale të pikëve për në universitet. “Për këtë vit nuk do të ketë asnjë ndryshim, mesatarja do të vazhdojë të zërë 20%. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjera për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as lëndët me zgjedhje nuk do të ndryshojnë, po ashtu nuk do të ndryshoje as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm. Kur u zhvilluam matura janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 40%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të risim përqindjen që zë mesatarja. Në të ardhmen që lidhet edhe me diçka tjetër që ne jemi shprehur të gatshëm për tu përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011 ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sitemit tonë arsimor parauniversitar. Pra do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Ne momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares, por me parë nuk na ndihmon të rrisim peshën e masatares. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve,” ka qenë shpjegimi i ministrit Tafaj, ndërsa foli para maturantëve dhe prindërve të tyre për ndryshimet që do të pësojë këtë vit procesi i Maturës Shtetërore.

Ky lajm është publikuar: 16/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›