E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Gati njohje të reja të pavarësisë

Zyrtarët kosovarë shprehen
optimistë se gjatë
pjesës së parë të 2009-ës,
pavarësia e Kosovës do të
njihet nga një numër i konsiderueshëm
shtetesh. Rrjedhimisht,
ata nuk shohin ndonjë
nevojë të ndryshimit të strategjisë
lobuese. Ministria e Punëve të
Jashtme nuk ka ndryshuar
strategjinë e veprimit për të
lobuar për njohje të reja për Kosovën
në vitin 2009. Sipas ministrit
të Punëve të Jashtme të Kosovës,
Skënder Hyseni, mënyra e
veprimit për njohje të reja është e
njëjtë me atë të 2008-ës.
"Strategjia për lobim është konstante,
është atypari dhe nuk
është shumë vështirë të dihet se
çka përmban kjo strategji lobimi.
Esencialisht ajo identifikon vendet
të cilat janë më afër njohjes së
Kosovës, identifikon grupe
vendesh që ndërlidhen mes vete
mbi bazën e interesave specifike
në politikën e jashtme. Dhe, mbi
bazën e këtyre indikatorëve,
natyrisht Ministria e Punëve të
Jashtme, ministri, ka një strategji
dhe një politikë specifike,
konkrete të fokusimit në vende të
caktuara", u shpreh Hyseni. Nga
ana tjetër, Ylli Hoxha, drejtor i Klubit
për Politikë të Jashtme, pohon
se Kosova është duke humbur
shumë nga mungesa e një
strategjie konkrete për lobim. "Kjo
tregon një shkallë jo të
kënaqshme, në të cilën gjendet
aplikimi i politikës sonë të jashtme,
zhvillimi i kësaj politike, dhe kjo e
reflekton gjendjen e politikës sonë
të brendshme në stadin në të cilin
jemi. Kjo nënkupton që duhet një
angazhim tejet më i shtuar, në
mënyrë që kjo çështje të ecë më
tutje. Konstatimi se politikën tonë
të jashtme e bën tjetërkush, jo institucionet
e Kosovës, po del si
konstatim me vend", u shpreh
Hoxha. Shumë të rëndësishme për
Kosovën vlerësohen njohjet nga
pesë shtetet e BE-së, që ende hezitojnë
t‘i bashkohen 22 anëtareve
tjera të këtij unioni, që kanë njohur
dhe kanë ngritur marrëdhënie
diplomatike me të. Për përfaqësuesit
e Klubit për Politikë të Jashtme,
institucionet e kosovare
edhe në sigurimin e njohjes nga
këto shtete janë duke vepruar pa
strategji konkrete. "Kosovës i duhet
një platformë konsensuale
lidhur me politikën e jashtme, i
duhet një copë letër, e cila paraqet
një platformë, një strategji se si të
zhvillohet politika jonë e jashtme.
Fatkeqësisht, deri në ditën e sotme,
institucionet nuk kanë qenë
në gjendje të nisin e jo më të aprovojnë
një strategji, e cila do të ndihmonte
në artikulimin e politikës
së jashtme", tha Hoxha. Ministri
Hyseni shpjegon se strategjia e diplomacisë
kosovare mund të
ndryshojë, vetëm nëse vërehet se
nuk ka farë lëvizjeje në drejtim të
njohjes. Megjithatë, ai shpreh
bindjen se Kosova do të njihet
shumë shpejt nga vende të ndryshme,
duke mos specifikuar se për
cilat vende apo rajone të botës
bëhet fjalë. "E kam përmendur një
shifër në një pyetje shumë sugjestive
nëse do të ketë më shumë se
70 njohje në këtë vit ose do të kalojë
numri 70. Unë prapë po e them se
jam i sigurt se do të ketë njohje. Një
numër i konsiderueshëm i
vendeve do ta njohin Kosovën
gjatë pjesës së parë të vitit. Nuk
mund të them numra", u shpreh
ministri Hyseni. Deri më tani, Kosova
është njohur si shtet i pavarur
e sovran nga 53 shtete të botës.
Njohës ndërkombëtarë të çështjes
së Kosovës konsiderojnë se njohjet
e deritanishme të Kosovës si shtet
janë të kënaqshme. Megjithatë,
ata mendojnë se përfaqësuesit e
Kosovës duhet të vazhdojnë të
punojnë me vendet tjera që ende
nuk kanë vendosur për njohje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›