E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi zgjedhor dhe partitë politike

TIRANE - Shqipëria politike ende nuk ka mbyllur kapitullin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, e megjithatë ajo brenda një kohe të shkurtër do të hyjë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale 2011. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore do të duhet të dekretohen 9 muaj nga data e vendimit final të KQZ-së mbi zgjedhjet e fundit vendore, pra 9 muaj nga data 8.6.2007. Zgjedhjet normale vendore do të duhet të jenë 30-45 ditë përpara kësaj date, pra me shumë gjasa, me 24 prill 2011 dhe dekreti për datën do të duhet të dalë në javët e fundit të muajit gusht. Duke e ditur se kriza politike është spostuar për në vjeshtë, dhe se gjatë muajve korrik-gusht parlamenti është jofunksional, atëherë rezulton se vjeshta e ardhshme do të krijojë një paradoks: vendi në krizë për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe njëherësh, vendi do të jetë zyrtarisht në prag-fushatë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Skenarët e zhvillimeve politike të pritshme, janë të shumta. Vendi do të vijojë me bipolaritet të ndjeshëm, institucionet politike mund të rikthehen në krizë, do të vijojnë manifestimet dhe protestat e dy palëve në rrugë, dhe se një vendim final për krizën do të mund të merret vetëm pas vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave. Në një situatë hipotetike maxhoranca, nën efektin e entuziazmit të vizave, do të preferonte më shumë zgjedhjet e parakohshme parlamentare apo të shtyjë krizën për të marrë me çdo kusht Bashkinë e Tiranës, sesa pranimin e kushteve të opozitës për kutitë dhe rrjedhimisht, dorëzimin e sigurt të pushtetit nën akuzën për manipulime elektorale.
Gjithsesi, një nga elementët e pandryshueshëm dhe pavarësisht vonesës, dominues në debatin e ardhshëm politik, do të jetë debati mbi sistemin zgjedhor, Kodin Zgjedhor dhe sjelljen e partive ndaj atyre. Sistemi zgjedhor në zgjedhjet lokale nuk ka rëndësi të madhe, pasi sistemi mbetet ai që ka qenë, maxhoritar për kryetarët e bashkive e të komunave, dhe proporcional për këshillat bashkiakë dhe komunare. Debati në këtë rast është raporti midis politikës dhe administrimit të zgjedhjeve, format e votimit (me kuti votimi apo elektronike), si dhe e drejta e votimit dhe e kandidimit (p.sh, e drejta e votës për emigrantët dhe shtetasit e huaj në Shqipëri etj). Ky debat është ndezur që tani nga dy parti, LSI dhe PR, dy aleate të PD-së në qeveri. Të dyja partitë kanë kërkuar fillimin urgjent të punës për reformën zgjedhore dhe në këtë kuadër, ndryshime drastike në sistemin e votimit, sistemin e administrimit dhe sistemin e përfaqësimit të partive. Natyrisht nismat dhe kërkesat e tyre bëhen në një funksion të aktualitetit politik, si presion ndaj PS-së për heqje dorë nga debati i kutive dhe pranimin e faktit të kryer, lidhur me zgjedhjet e kaluara. Gjithsesi deklarimet e tyre i adresohen edhe maxhorancës dhe vetë njëra-tjetrës. Sipas Kodit Zgjedhor, KQZ përbëhet nga 7 komisionerë, dy nga PS, dy nga PD, një nga aleati kryesor në qeveri, një nga aleati kryesor në opozitë dhe një kryetar nga maxhoranca. E njëjtë është edhe skema e kompozimit të KZZ-ve në nivelet e mëposhtme. E thënë me terma të thjeshtë, LSI dikur në opozitë, sot është në qeveri, dhe anëtari i tretë i KQZ-së nga maxhoranca, politikisht, nuk i takon më PR-së, por LSI-së si parti e dytë. Kjo kërkesë vështirë të zbatohet, sepse për ndryshimin e anëtarit duhet kompromis me opozitën në parlament dhe votim me 84 vota. Rivaliteti LSI–PR për vendin e dytë në maxhorancë, dhe për pasojë, për një komisioner në çdo komision votimi, mund të ketë ndikim të madh në fushatën e ardhshme lokale dhe në funksionimin e koalicionit qeverisës. Kërkesat e tyre lidhen edhe me probleme të tjera të sistemit zgjedhor (kërkesa për proporcional me korrektim kombëtar, për votimin e emigrantëve etj), të cilat prekin thelbin e sistemit dhe natyrshëm, edhe interesin madhor elektoral të dy partive të mëdha, PD e PS. Vetë fakti se këto kërkesa janë artikuluar nga nivelet më të larta (kryetarët respektivë z.Meta dhe z.Mediu) njëherësh edhe ministra në qeveri, tregon seriozitetin e interesit të tyre partiak, por edhe problemet e funksionimit të maxhorancës. Një maxhorancë solide do të duhej, që këto dilema e mosmarrëveshje t’i zgjidhte në tryezën e koalicionit qeverisës dhe më pak, me një draft konsensual, t’i adresohej opozitës. Fakti që pas një viti qeverisjeje, tryeza e kryetarëve të partive në qeveri, nuk është mbledhur asnjëherë, tregon se koalicioni nuk funksionon politikisht, por vetëm administrativisht (shkëmbime postesh në administratë) dhe personalisht (kryetarë që kanë poste në qeveri). Shpresa e PD-së është se agresiviteti i LSI-së do të mund të drejtohet drejt PS-së, dhe për ketë ajo përpara se të konsultohet me aleatët e saj politikë, deklaron publikisht se pranon çdo ndryshim zgjedhor të propozuar nga PS-ja, ku siç dihet, nëse ndodh vërtetë, nuk mund të ketë propozime pro LSI-së, përkundrazi.
Për shkak se palët kryesore politike, PD e PS, ndodhen larg njëra-tjetrës dhe se shanset për një bashkëpunim real për një Kod të ri Zgjedhor janë minimale, palët janë të detyruara të ndërtojnë strategjitë e tyre politike mbështetur në sistemin aktual dhe legjislacionin aktual zgjedhor. Bazuar në këtë legjislacion, dhe sidomos në rezultatet e fundit parlamentare, PD dhe PS janë të interesuara të shkojnë drejt një sistemi bi-partiak, në të cilin partitë e vogla do të kenë vetëm dy zgjedhje: ose të shkrihen me partitë e mëdha në një federatë të majtë/të djathtë, ose të rrezikojnë shumë dhe të mbeten pa përfaqësim edhe në parlamentin e ardhshëm. Pra, janë zgjidhje pa negocim dhe pa kushte. Një zhvillim i njëjtë me modelin italian, polak, cek etj, me dallime vetëm në rregullat e realizimit dhe të funksionimit të tij.
PD mbeti në pushtet me 112 mijë votat e partive aleate, ndaj nuk mund të ketë interes t’i injorojë ato. Përfaqësimi aktual në qeveri është simbolik, dhe dëmtues për elektoratin e tyre, ndaj PD është e interesuar të përdorë një mekanizëm afatgjatë për konservimin e votave të tyre. Rrugët e saj janë dy: ose i zëvendëson aleatet e saj të djathtë me LSI-në (73 mijë vota), ose nis një proces shkrirjeje dhe bashkimi. E njëjta logjikë vlen edhe për PS-në, e cila në zgjedhjet e fundit përfitoi me 68 mijë vota nga aleatët, dhe që do të duhet të llogarisë të humbura edhe votat e LSI-së. PS ka nisur procesin e krijimit të një konfederate të majtë (PSD, PDS, G99), proces që është normal dhe i logjikshëm për tre arsye. E para, sepse federalizmi politik imponohet nga sistemi zgjedhor; e dyta, sepse dallimet programore midis partive janë minimale dhe e treta, sepse liderë të partive të majta, si Gjinushi apo Milo, janë në moshën e pragpensionit, ndaj nuk kanë më interes të hyjnë në aventura elektorale, duke refuzuar edhe 1-2 legjislatura mandate të sigurta për veten e tyre. E njëjta logjikë, por me vonesë në kohë, do të duhet të ndodhë edhe në PD. Dallimet e saj programore me disa parti (PAD, PBL, PAA, PBKD, PLD etj) janë minimale, madje në një plan më të gjerë, programet bashkohen edhe me parti tradicionale, si PLL, PBK, PR etj. Problemi i parë i PD-së është LSI, një aleat strategjik aktual, por në plan afatgjatë, ajo mbetet një kundërshtare politike. Llogaritë me LSI-në mund t’i bëjë vetëm pas zgjedhjeve lokale, testit nëse vërtetë kjo parti ka atë forcë elektorale sa kishte në zgjedhjet e fundit, si dhe nëse kjo parti jep shenja afrimi natyral me të majtën, apo përfundimisht ndryshon spektër politik dhe kalon në të djathtë. Problemi i dytë i PD-së është LZHK dhe PDK, dy parti të djathta që aktualisht janë bashkë me të majtën (jo në koalicion zgjedhor) dhe që nëse nuk hyjnë në skemën e saj, votat e tyre llogariten dyfish të humbura: sepse janë vota të djathta, dhe sepse janë vota që mund të shkojnë tek e majta.
Në disfavor të dukshëm të partive të mëdha, ishte vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit detyrues të Kodit për subjektet elektorale për mbledhje të 10 mijë nënshkrimeve dhe noterizimit të tyre, si parakusht kandidimi. Me ndryshimet e fundit, çdo parti nuk do të ketë nevojë për ndihmën e PD-së e PS-së për të kandiduar në zgjedhje, secila mund të hyjë në garë dhe kështu, secila fiton liri më të madhe veprimi e pavarësie. Këtë liri e fitojnë edhe individët e pavarur apo grupe të reja politike që mund të lindin në një moment boshllëku, krize apo mungese oferte politike. Kjo është arsyeja që asnjëra nga dy partitë e mëdha nuk e përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se partitë e vogla filluan të ngrenë zërin më shumë në kërkesat e tyre mbi reformën zgjedhore.
Kalkulimet janë të shumta, skenarët janë të hapur, mundësitë janë të mëdha, sepse e djathta dhe e majta shqiptare, ndryshe nga modelet europiane, kur vjen puna tek interesi elektoral e politik janë të gatshme të heqin dorë nga çdo prirje ideologjike dhe të krijojnë koalicione nga më të papriturat dhe më të çuditshmet. Mitet e reformave zgjedhore (nevoja për komisionerë jopartiakë, për depolitizimin e KQZ-së dhe administratës zgjedhore, për transparencën reale financiare dhe votimin e emigrantëve), edhe më tej mbeten të paprekura sepse asnjë palë e madhe (PD dhe PS) nuk do t’i ndryshojë. Paaftësia për zgjidhje afatgjata ka zëvendësuar aftësinë për pazare dhe zgjidhje interesash afatshkurtra; vendimet vizionare janë zëvendësuar me vendime militante ditore. Kështu, detajet e vogla teknike, edhe më tej, do të vijojnë të jenë përcaktuese në sjelljen e tyre, në raportet me aleatët, me publikun, me institucionin e zgjedhjeve dhe me vetë strukturat amorfe brenda-partiake. Ajo që mbetet e sigurt në të gjithë proces kontraversial është fakti se, ndonëse brenda pak muajsh vendi do të jetë në krizë të dyfishtë elektorale (për zgjedhjet që shkuan dhe ato që vijnë), në sjelljen e partive kryesore dhe sidomos të liderëve të tyre, do të vijojnë të jenë dominuese interesat e tyre politike apo karriera personale, në dëm të interesit qytetar, demokratik, publik dhe integrues.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›