Grabitësit e armatosur vjedhin një makinë dhe një karburant
Dy grabitje kanë shqetësuar Policinë e Tiranës dy net më parë, ku persona të armatosur kanë vjedhur një makinë dhe një karburant. Ngjarjet kanë ndodhur në dy skajet e kryeqytetit, ku njëra është shënuar në kilometrin e 29, në kufirin Tiranë-Elbasan, ndërsa tjetra në autostradë, pranë Vorës. Sipas të dhënave policore, në lidhje me ngjarjen e parë bëhet fjalë për vjedhjen me armë të një makine. Oficerët e policisë treguan se janë njoftuar për këtë ngjarje nga vetë i dëmtuari, një shtetas grek, dhe menjëherë kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe ato të Elbasanit. Ai ka shpjeguar për oficerët e policisë se ishte duke udhëtuar për në Elbasan, i vetëm, kur dy persona i kanë bërë me shenjë të ndalonte në anë të rrugës. Duke menduar se çfarë kishte ndodhur, poseduesi i mjetit me targa të Tiranës ka ndaluar. Në atë kohë, ai është përballur me presion psikologjik nga dy grabitësit, të cilët pa maska i kanë kërkuar të zbresë nga mjeti dhe mos të kundërshtonte, pasi do e vrisnin. I dëmtuari, duke u frikësuar nga armët që ata mund të kishin me vete, pasi ka shpjeguar se nuk u kishte vënë re asgjë, ka lënë mjetin dhe është larguar në këmbë.
Më pas, ai ka njoftuar policinë, e cila ka ushtruar kontrolle si në rrugën për në Tiranë, ashtu edhe për në Elbasan. Megjithatë policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e grabitësve. Policia tha se mëngjesin e djeshëm, i dëmtuari ka bërë një kallëzim më të detajuar mbi këtë ngjarje, duke bërë edhe përshkrimin e dy hajdutëve, të cilët ishin pa maska dhe të paarmatosur. Gjithashtu ai ka shpjeguar për policinë edhe të dhënat e makinës së vjedhur.
Ngjarja e dytë ka ndodhur në zonën e Komisariatit Nr. 6. Sipas të dhënave policore, gjatë orëve të natës, shërbimet e komisariatit të Kombinatit janë njoftuar për vjedhjen e një karburanti në zonën e Vorës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë, që kanë marrë kontakt me punonjësin e karburantit. Ai ka treguar se dy persona kishin ardhur me një makinë. Ata i kanë kërkuar punonjësit të mbushte plot serbatorin dhe më pas i kanë vënë pistoletën përballë. Duke e kërcënuar që të mos lëvizte dhe të mos e njoftonte policinë, dy hajdutët e armatosur i kanë kërkuar edhe paratë që kishte me vete. Të gjitha këto punonjësi i ka shpjeguar për shërbimet e Komisariatit Nr. 6, që tashmë kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Tashmë me strukturën e re të policisë, këto ngjarje hetohen nga vetë komisariatet, pasi është shkrirë seksioni i vjedhjeve me dhunë dhe armë.
#