Ardhja e emigrantëve, radhë në sportelet e pasaportave
Radhë të gjata dhe pritje me orë të tëra për emigrantët që vijnë këtë sezon vere me pushime dhe duan të pajisen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Zyra e aplikimeve për këto dokumente identifikimi pranë Bashkisë së Korçës, ditët e fundit ka pasur një prani të shtuar të personave që paraqiten për të kryer veprimet për pajisje me pasaporta biometrike apo karta identiteti. Pjesa më e madhe e aplikuesve janë emigrantët, të cilët kanë filluar të vijnë në numër të madh për sezonin e pushimeve të verës. Me fillimin e javës, emigrantët janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit te zyra e aplikimeve, por këtu radhët kanë qenë të gjata. Disa prej emigrantëve u shprehën se kishin zënë radhë që në orën 05.00 të mëngjesit dhe pritën për disa orë që të kryenin veprimet brenda zyrës. Shqetësimi i tyre më i madh është se në këtë zyrë janë paraqitur edhe me fëmijët e vegjël, për të cilët nuk ka kushte qëndrimi dhe duhet të rrinë në diell së bashku me prindërit e tyre. Emigrantët kanë kërkuar që zyrat e aplikimeve të punojë me më shumë sportele për të përballuar fluksin e njerëzve që kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike apo karta identiteti. Por, nga ana e kësaj zyre, është i njëjti personel që ka punuar edhe në periudha kur nuk ka ardhje emigrantësh nga Greqia. Janë katër punonjës që shërbejnë në këtë zyrë, dy prej të cilëve janë caktuar për pasaportat biometrike dhe dy të tjerë për kartat e identitetit.
#