Vdes në spital 80-vjeçari që nuk i dorëzohej RENEA-s
Rexhep Karaj, ish-ushtaraku që u arrestua rreth një muaj më parë nga RENEA, pasi kishte plagosur bashkëshorten dhe u mbyll në banesë për t’i rezistuar policisë, është ndarë nga jeta dje, për shkak të një sëmundje të rëndë. Burimet policore shpjeguan se Karaj ishte 80 vjeç dhe që ditën e arrestimit, ai është mbajtur në Spitalin e Burgut në Tiranë, në pritje të fillimit të gjyqit. Por, ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe paraditen e djeshme ka ndërruar jetë. Burimet policore thanë se nga burgjet janë njoftuar për këtë ngjarje rreth orës 10.00, ndërkohë që pas kryerjes së veprimeve procedurale, trupi i tij i pajetë u dërgua në morgun e Tiranës. Rreth një muaj më parë, pikërisht më 7 qershor, ish-ushtaraku Karaj bëri bujë në qytetin e Pogradecit, kur nuk pranonte të dorëzohej te forcat e RENEA-s. Lodhja e bindi të dilte nga shtëpia dhe të habiste të gjithë me pamjen e një njeriu që dukej se nuk kishte fuqi të lidhte ushkurët. Ka qenë ora 08.30 e mëngjesit të asaj date, kur Rexhep Karaj plagosi me armë zjarri gruan e tij 72-vjeçare, Fetie Karaj. Ai ka qëlluar një herë në drejtim të gruas me të cilën jetonte, por ajo ka arritur të dalë nga banesa dhe të lajmërojë policinë për sulmin. Rexhepi, sipas banorëve të lagjes nr. 2 të Pogradecit që e njihnin, ishte i sëmurë dhe shfaqte shenja të sklerozës dhe depresionit.
#