I shpëtoi vdekjes, rrezikon burgun
I mbijetoi shembjes së galerisë, rrezikon burgun. Kështu ka ndodhur me 39-vjeçarin Zihni Murati, i cili katër ditë më parë i shpëtoi mrekullisht vdekjes në një galeri të braktisur të pellgut krommbajtës të Bulqizës. Mesditën e së shtunës, 39-vjeçari kishte hyrë në një nga që ndodhen mes Zonës së Parë dhe Zonës D të minierës dhe mbeti i bllokuar gjatë punës për mbledhjen e mineralit të kromit për gati 9 orë, si pasojë e shembjes së galerisë. Tashmë çështja e tij ka kaluar në kompetencë të policisë gjyqësore për zbardhjen e shkaqeve të ndodhjes së aksidentit në punë. Këtë e konfirmoi për “Shqip” zëdhënësi i policisë së Dibrës, Paulin çera.
Sipas burimeve nga policia, minatori do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Në mbrëmjen e së shtunës së kaluar, pas gati 9 orësh të qëndrimit në një skutë të galerisë së braktisur, ku i ka shpëtuar krejt mrekullisht vdekjes së sigurt nga shembja e papritur e saj, sapo është nxjerrë shëndoshë e mirë nga nëntoka është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Bulqizës i shoqëruar nga efektivë të policisë. Pasi ka marrë mjekimin e duhur, 39-vjeçari Murati u është nënshtruar pyetjeve të oficerëve të policisë gjyqësore të Dibrës, në lidhje me incidentin e ndodhur.
Burime pranë familjes Murati thonë për “Shqip” se mbledhja e kromit ishte e vetmja mundësi për mbijetesën e kësaj familje. Zihni Murati, baba i tre fëmijëve, (dy vajza dhe një djalë), më i vogli në klasë të parë dhe më i madhi në klasë të shtatë, para 7 vitesh kishte ardhur së bashku me familjen në qytetin minator të Bulqizës me shpresën për t’u punësuar në minierë për të mundësuar rritjen e fëmijëve.
Aktualisht familja Murati nuk ka asnjë të ardhur ekonomike për rritjen e fëmijëve, gjë që e ka detyruar atë, por jo vetëm, që të mbledhë krom në stoqe dhe galeri të braktisura, për t’ua shitur firmave private për pak lekë për të blerë bukë për fëmijët. Të shtunën ai së bashku me bashkëshorten dhe dy shokë të tij, si çdo ditë kanë shkuar të mbledhin krom në rrugët dhe stoqet e ndodhura mes Zonës së Parë dhe Zonës D. Në punë e sipër, pasi nuk kanë gjetur mineral, ai së bashku me dy shokët e tij janë joshur nga galeria e braktisur 16/2 e ndodhur në këtë zonë, kanë hyrë brenda saj. Por galeria është shembur duke e zënë brenda Zihni Muratin, ndërsa dy shokët e tij janë larguar duke iu shmangur kështu rrezikut.
Ndërkohë, burime informacioni nga Drejtoria e Policisë Dibër, pohuan për “Shqip” se dosja në ngarkim të këtij shtetasi dhe dy shokëve të tij është në përfundim e sipër dhe së shpejti do të vihet në dispozicion të organit të akuzës.
Edhe prefekti i Dibrës, Xhafer Seiti, i pyetur për këtë ngjarje e konsideron atë si vjedhje në bashkëpunim, pasi, sipas tij, ajo ka qenë një galeri e braktisur për pronësinë e së cilës janë përfshirë në një konflikt disavjeçar dy firma të licencuara të nxjerrjes së kromit.
Në të njëjtën kohë kur dhjetëra firma ilegale shfrytëzojnë galeritë e kromit dhe askush nuk merr masa për të ndalur vjedhjen masive, një baba që tenton të shpëtojë fëmijët nga uria vihet menjëherë përpara përgjegjësisë penale.
#