Siti në finale të FA Cupfitore ndaj “Djajve të Kuq”
ANGLI- Një gol i shënuar nga Jaja Ture në fillimin e pjesës së dytë i ka dhënë kualifikimin për në finalen e FA Cup Mançester Sitit të Roberto Mançinit, që ka mposhtur 1-0 Mançester Junajtid në “Uembli”. Derbi i Mançesterit këtë herë ka shkuar për “Citizens”, që kanë vuajtur vetëm në 30 minutat e para përballë Junajtid, që nuk kishte në fushë Uejn Runin. Jaja Ture ishte heroi i skuadrës së Mançinit, me golin e tij në minutën e 52-të. Në pritje të mësojë kundërshtarin, Bolton apo Stouk, Siti ka tashmë një shans të artë për ta mbyllur sezonin me një trofe. Ndeshja e sotme u bë më e lehtë në minutën e 72-të, kur Pol Skols doli me karton të kuq për një faull të rëndë. Më pas, gjithçka ka qenë një administrim loje nga ekipi i Mançinit. Në fund, ndeshja pati edhe momente acarimi, ku protagonistë ishin trajneri Mançini dhe Rio Ferdinand.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)