E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata në HEC-e, Stojku: Shkarkimet ndërpriten pas 2 ditësh

TIRANE- Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se situata në kaskadën e lumit Drin po shkon drejt normalizimit dhe pritet që brenda dy ditëve të ardhshme të ndërpriten shkarkimet. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku deklaron se shkarkimet nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë pësuar rënie dhe po ashtu edhe prurjet e ujit në kaskadë.

“Situata është e kontrolluar, ne po shkarkojmë sot nga liqeni i Vaut të dejës 1760 metër/kub ujë në sekondë, 300 metër/kub më pak se dita e djeshme. Njëkohësisht prurjet në liqenin e Fierzës kanë filluar rëniet, janë afërsisht me 1050 metër/kub në sekondë, kështu që në pak orë ne do hyjmë në prurjet normale. Kjo situatë do ndiqet deri në uljen e prurjeve dhe me siguri që në dy ditët e ardhshme këto shkarkime do të ndërpriten. ” u shpreh Stojku.

Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it e ka vlerësuar gjendjen e krijuar në kaskadë më të vështirë edhe se përmbytjet e vitit 1963. Sipas tij prurjet mesatare mujore në 1963-shin ishin 470 metër/kub në sekondë ndërkohë që këtë muaj prurjet mesatare të ujit vlerësohen në 730 metër/kub në sekondë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›