E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situata ne Libi ministrat e jashtem te NATO-s mblidhen ne Berlin

Nën masa të rrepta sigurie, mblidhen në Berlin ministrat e jashtëm të NATO-s për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm të konfliktit në Libi.  Roli i NATO-s në konflikt kryeson axhendën e takimit dyditor ku merr pjesë dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton.

Në takim diskutohet roli i  NATO-s për të mbyllur një rrugë pa krye ndërmjet forcave të Muamar Gadafit dhe kryengritësve, që po përpiqen të përmbysin regjimin e tij shumëvjeçar. Franca dhe Britania e Madhe janë të mendimit se NATO-ja ka përgjegjësinë për vazhdimin e gjendjes së tanishme në Libi dhe kërkojnë sulme më të ashpra ndaj trupave të Muamar al-Gadafit.

Para këtij takimi, një zyrtar francez tha se Franca dhe Britania kishin rënë dakort për të shtuar presionin ndaj partnerëve të tyre të NATO-s, për të kontribuar me më tepër forca për kryerjen e sulmeve ajrore kundër forcave të Gadafit. Para dy javësh, NATO-ja, nga Shtetet e Bashkuara, mori udhëheqjen e misionit të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për imponimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi dhe për mbrojtjen e civilëve në këtë vend.

Por, disa javë të sulmeve ajrore të NATO-s, që janë kryer kryesisht nga aeroplanët e Francës dhe Britanisë, kanë dështuar, që përfundimisht ta kthejnë konfliktin në favor të kryengritësve ose të ndalin sulmet e forcave të Gadafit. Takimi i Berlinit vjen një ditë pasi Grupi i Kontaktit për Libinë i  kërkoi Muamar al-Gadafit që të tërhiqet menjëherë nga posti i tij dhe të hapë rrugën për një dialog politik.

Gadafi ka humbur çdo lloj kredibiliteti për të prezantuar vendin e tij, deklaruan përfaqësuesit e 20 vendeve anëtare të këtij grupi, pas një konference të zhvilluar në Doha të Katarit. E ndërkohë që në terren luftimet vazhdojnë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen paralajmëroi se më tepër se gjysma e popullsisë së Libisë ka nevojë urgjente për ndihma humanitare. Që prej fillimit të konflikti numri i refugjatëve, llogaritet në afro gjysmë milion.

Delina Bitraku Azhornuar së fundi ( e enjte , 14 prill 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›