“Situata po menazhohet me efiçencë, evakuimi, i domosdoshëm në disa zona”

Kryeministri Berisha ndjek përsëri nga afër punën për normalizimin e situatës në veri të vendit Kryeministri Sali Berisha inspektoi përsëri dje zonat e përmbytura të Lezhës, kryesisht duke vizituar Ishullin Shëngjin, dhe njëherazi edhe punimet për ndërtimin e argjinaturës së lumit Mat. Pjesë e inspektimit të Kryeministrit Berisha, ishte edhe zona e Shkodrës, ku ai u ndal edhe në komunën e DajçitI shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, kreu i qeverisë ndoqi nga afër punën për normalizimin e situatës në këto zona të përmbytura, duke siguruar banorët se shteti do të kompensojë çdo dëm të shkaktuar, por vërejti kryeministri, evakuimi është i domosdoshëm në ato zona, të cilat ende vazhdojnë të rrezikohen ndjeshëm. Berisha vlerësoi se ndonëse jo e thjeshtë, situata po menaxhohet me efiçencë. Kryeministri kërkoi që situata të ndiqet me kujdes çdo orë, pasi lumenjtë e maleve janë jashtëzakonisht problematikë e të paparashikueshëm në motet e mëdha.Kryeministri u njoh nga afër edhe me ecurinë e punimeve për ngritjen e digës që do të normalizojë situatën dhe do ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i ngritjes së detit. Kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe punën e madhe për ngritjen e digës në një kohë sa më të shpejtë të punonjësve të firmës ndërtuese dhe forcave të ushtrisë, të angazhuara në normalizimin e situatës. “Këtu po ngrihet një digë e re. Firma ‘Pacani’ dhe ushtria kanë punuar me përkushtim të madh, pa ndërprerje, nuk kanë pasur një orë festë, por vetëm punë, për t’iu përgjigjur emergjencës së krijuar edhe këtu, pasi deti ka kërcënuar thellësisht këtë zonë. Prita që po ngrihet, shihni sa afër janë shtëpitë, jep një mbrojtje të rëndësishme. Natyrisht kjo është pritë provizore, sepse një pritë e madhe përfundimtare do të ngrihet. Për të gjithë këtë zonë po bëhet një projekt së bashku me organizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të amortizohen të gjitha pasojat e ngrohjes globale dhe ngritjes së detit. Kështu që jo vetëm do e mbrojmë, por do të përpiqemi t’i marrim tokë detit, në të ardhmen. Rritja e detit ka gllabëruar lagunën”, u shpreh Kryeministri Berisha.Ndërkaq, i pyetur nëse ka ndërhyrje nga dora e njeriut që mund të ketë dëmtuar ekosistemin, kryeministri Berisha deklaroi se dallga ka qenë shumë e fuqishme, por pavarësisht edhe dora e njeriut nuk mund të ngelet jashtë. “Në këtë zonë nuk kam të dhëna, por në Tale është verifikuar që po. Dallga është dallgë, por është shumë e zorshme që njeriu të gjendet dorëjashtë. E vërteta është se është më e rralla që mund të ndodhë, por, natyrisht, dallga ishte shumë e fuqishme. Ajo ishte një shkak. Sidoqoftë qëndrime shumë të tjera do të adaptohen në mbrojtje të të gjithë vijës bregdetare, pasi ishte një paralajmërim i parë i madh. Se çfarë ishte, nuk u mor vesh, por një gjë është e sigurt se dallga ishte jashtëzakonisht e fuqishme dhe siç e patë, ka bërë dëme të mëdha. Në tërësi kjo situatë jo e thjeshtë po menaxhohet me eficencë. Forcat e policisë, të ushtrisë, repartet e xhenios dhe reparte të tjera kanë qenë jashtëzakonisht eficence. Këtyre forcave u janë bashkuara edhe bordet e kullimit. Janë dy hidrovore dhe në tërësi kanë funksionuar. Kjo është një situatë që duhet ndjekur çdo orë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, pavarësisht se ka një ‘status quo’, por e vërteta është se lumenjtë e maleve janë jashtëzakonisht problematikë në motet e mëdha, pasi bëhen krejtësisht të paparashikueshëm. Nuk mundet imagjinata e njeriut të di se çfarë ndodh me një përrua që gjatë verës mund të humbasë edhe pikën e fundit të ujit dhe të shndërrohet në një lumë të tërbuar, që përmbyt zona të tëra”, tha Berisha. Kryeministri theksoi angazhimin e qeverisë për të qenë e gatshme gjatë gjithë dimrit, për përballimin me sukses të fatkeqësive të tilla.“Gjatë kësaj periudhe dhe këtij dimri do të qëndrojmë shumë të gatshëm për të zvogëluar problematikën e krijuar. Pardje hapa televizorin të shoh lajmet dhe ç’të dëgjoj: lajm i mirë për qeverinë dhe lajm i keq për popullin. Thashë ç’po ndodh dhe cili ishte lajmi i mirë për qeverinë? Lajm i mirë se po bie borë dhe po bien prurjet dhe i keq për popullatën e veriut se po i bie borë. Këta të përmbyturit ishin gjela dhe jo njerëz”, deklaroi më tej Kryeministri Sali Berisha....