E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë e tendosur në Gadishullin e Koresë

Koreja e Veriut ka theksuar se do ta “anuloj në tërësi” marrëveshje ndër-koreane për parandalimin e përleshjeve aksidentale të anijeve, përgjatë kufirit perëndimor të kontestuar detar me Korenë e Jugut.

Tendosjet në gadishull janë rritur në mënyrë dramatike, prej se ekipi i hetuesve ndërkombëtarë erdhi në përfundim javën e kaluar se goditja nga torpedoja e nëndetëses së Koresë së Veriut, e ka fundosur luftanijen e Koresë së Jugut, në muajin mars, me ç’rast janë vrarë 46 marinarë.

Pheniani e ka hedhur poshtë përfshirjen e tij në fundosje të luftanijes.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka theksuar se Korea e Veriut duhet t'i japë fund kërcënimeve dhe provokimeve pas provave që i akuzojnë ata se fundosën anijen jug-koreane në mars.

Duke folur në Seul, zonja Clinton tha se kishte prova të shumta që tregonin se anija ishte fundosur nga Korea e Veriut dhe se kjo kërkon reagim të matur ndërkombëtar.

Clinton theksoi se e ardhmja e vendit varej nga përzgjedhjet që bënin udhëheqësit sot.
Clinton tha se hetimi ka qenë objektiv, faktet kanë qenë të shumta dhe përfundimi i pashmangshëm.

Komuniteti ndërkombëtar ka detyrë të përgjigjet, por përveç një paraqitje solidariteti me Jugun dhe dënim të veprimeve të Veriut, fjalimi saj në Seul nuk zbuloi shumë për atë se cila do të jetë përgjigja.

Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka rol kryesor në çdo përpjekje të Këshillit për të ndërmarrë veprime kundër Koresë së Veriut dhe deri më tani në publik, autoritetet kineze po mbajnë një qëndrim mjaft të kujdesshëm, duke sugjeruar se dialogu është më mirë se konfrontimi.

Në ndërkohë, Shtëpia e Bardhë shpalli sot strategjinë e re të administratës së Barack Obamës për sigurinë kombëtare. Raportohet se në këtë dokument do të theksohet kërcënimi nga terrorizmi, që e ka origjinën brenda SHBA-së.

Duke e paralajmëruar këtë strategji të re para gazetarëve, John Brenan, këshilltar i lartë i presidentit për anti-terrorizëm, tha se strategjia po ashtu do ta bëjë të qartë se SHBA-ja nuk konsideron se “është në luftë me islamin”.

Strategjia, që është një dokument të cilin secila administratë duhet ta paraqes sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, pritet të theksoj edhe nevojën për bashkëpunim global për tu ballafaquar me një numër të kërcënimeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›