E Shtunë, 31 Tetor 2026

iPad ma ka ndryshuar jetën

Kur m’u kërkua ta shkruaja këtë artikull në iPad, shkova me mendjen se tekembramja s’kishte ndonjë gjë të hairit për të shtuar në lidhje me këtë makinëz ferri. Falë një fushate fantastike ndërkombëtare në ueb, në blog-e dhe në çdo gazetë, të gjithë tashmë e dinë se ky iPad i bekuar nuk është gjë tjetër veçse një iPhone gjigant. Apo, s’është edhe bash kështu? Do të nis këtë paragraf të dytë duke e quajtur iPad-in me pseudonimin e “tavolinzës mitike”, ashtu që ti lexues i dashur ta kuptosh menjëherë se ky artikull është i shkruar nga njëri që është pjesë e tij.

Banoj në Nju Jork dhe e kam blerë tavolinzën mitike ditën e parë që e kanë vënë në shitje: jam një graphic designer, dizajnoj kopertina të librave, muzesh e restorantesh dhe e prisja i bindur se do ta revolucionarizonte botën e editimit. Dy muaj më pas, kam sall një gjë të qartë: i ka revolucionarizuar sjelljet e familjes sime.

I kam rënë në të se si është bërë pjesë e zakoneve të mia vetëm atëherë kur, gjatë një udhëtimi me makinë duke u kthyer nga deti, për ta qetësuar bijën time ia dhashë iPad-in që ta shihte një video. Pas disa minutash agjërimi nga tavolinza, i kapluar nga mërzia rrëmova në çantën time për ta nxjerrë numrin e fundit të revistës Wired. Shocku ishte i menjëhershëm: bojë shkrimi në gishta, skaje të zhubravitura, një thes kartolina për abonim që të bëjnë ta hapësh revistën në faqen që nuk do që ta hapësh, reklama me kilogramë, asnjë lidhje në wikipedia dhe mbi të gjitha (e këtu kuptohet se i kam kaluar të dyzetat) e tëra është e shkruar me shkronjë fare të vogla. E derisa po mundohesha ta kuptoja se si kam mundur të lexoj në letër me vite të tëra pa u ankuar, bija ime po shikonte filma të vizatuar me një cilësi të videos shumë të lartë se sa ajo që e meriton një fëmijë i azilit.

Në po atë çast kur po iu thosha lamtumirë revistave tradicionale, bija ime po merrej me televizionin në makinë. E unë po reflektoja për lamtumirën e shpejtë edhe ndaj kompjuterit tim si mjet i argëtimit: pse – i thashë vetes, për ta bërë një aktivitet të këndshëm duhet të rri ulur në një tavolinë shkrimi apo të zvarritem mbi divanin e portativëve me ato tastiera të tmerrshme që vetëm sa ma kujtojnë ditën time në zyre. Paradoksi është se duke shkuar përpara edhe jam kthyer mbrapa, te klasikët: nuk i lexoj më lajmet në Google, i jam rikthyer New York Times-it dhe Wall Street Journal-it. I shfletoj në iPad, në metropolitanë, në taksi apo i shtrirë në divan. Dallimi është se ma japin gazetarinë e tyre tradicionale bashkë me videon dhe galeritë fotografike. Dhe i përditojnë shumë herë gjatë ditës. Ky është revolucioni që e prisja.

Tavolinëza mitike e ka zëvendësuar edhe iPhone-n tim për leximin e librave. “Të lexosh libra në një ekran aq të vockël? Po a të kanë lënë mendtë?”, kam dëgjuar të ma përsërisin me dhjetëra herë. Jo edhe aq, në të vërtetë dimensioni i ekranit të telefonit është saktësisht i barabartë me shtyllën tekstit që je duke e lexuar në këtë moment, por edhe mund ta ndryshosh dimensionin e shkronjave.

Po ky artikull nuk është për të folur për vëllathin e vogël, në të vërtetë vëllamthi e tejkalon për të gjitha aplikimet ku dimensioni është ai që ka peshë. ǒspektakël të mund të lexosh libra në iPad: lexuesi mund të vendosë jo vetëm për dimensionet, por edhe për germat që i pëlqejnë dhe për ngjyrën e faqes. E para se gjithash mund ta bëjë në shtrat, pa ankesat e gruas së bezdisur nga drita.
E teksa jam në shtrat, shikoj edhe televizionin: në fakt, në ShBA, falë aplikimit të stacionit televiziv CBS, kam mundësinë t’i shikoj shoet e mi të preferuar dhe ato që nuk i gjej në CBS i shkarkoj për 2 dollarë nga iTunes. Jam duke menduar seriozisht ta shes televizorin tim Plasma, edhe ashtu bijat e mia i shikojnë filmat në kompjuter e gruaja ime nuk shikon televizion prej vitesh.

Dy muaj më pas, jam i sigurt vetëm për një gjë, i ka revolucionarizuar sjelljet e familjes sime. Do të di t’jua them nëse e ka ndryshuar jetën time profesionale posa të përfundoj së lexuari New York Times-in dhe ta shoh episodin e fundit të Lost.

Matteo Bologna është drejtor kreativ dhe themelues ortak i Mucca Design, një agjenci e Brandingme seli në New Yorkdh e San Francisco. www.mucca.com

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›