Situatë e tensionuar në Gjeorgji, zbulohet atentati ndaj presidentit
Pas zbulimit të një komploti për të vrarë presidentin Mikhail Shakashvil është tensionuar situata në Gjeorgji dhe një batalion tankesh në një bazë ushtarake u rebelua pas lajmit. Dëshmitarët okularë thanë se të paktën 30 tanke dhe automjete ushtarake shkuan nga kryeqyteti Tbilisi për në bazë. Ministria e Brendshme tha se komploti kishte si qëllim të përkonte me një stërvitje të NATO-s që pritet të fillojë të mërkurën në Gjeorgji. Një zëdhënës akuzoi Rusinë se fshihej pas komplotit dhe tha se ish- zyrtarë të lartë gjeorgjianë ishin të përfshirë. Ai tha se një person ishte arrestuar, por organizatori ishte ende i lirë. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjeorgjiane tha se organizatorët e atij që mendohet se ishte grusht ushtarak, donin të destabilizonin Gjeorgjinë dhe të vrisnin presidentin Mikhail Shakashvili. Ai shtoi se personi në krye të operacionit ishte ish-shefi i forcave speciale, Koba Otanadze, që nuk është ndaluar ende. Zëdhënësi tha se gjithashtu se qeveria ishte në dijeni të një përpjekjeje për grusht shteti që prej dy muajsh, por mundi vetëm tani që ta bëjë publik lajmin pas arrestimit të një prej protagonistëve kryesorë. Ndërkohë Rusia i ka hedhur poshtë akuzat. Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogozin thotë se akuzat gjeorgjiane janë të pabaza. Sipas tij, rebelimi i ushtrisë ishte reagimi i asaj që quajti “politika e çmendur e presidentit Shakashvilli”.
6 Maj 2009